Tre egjiptianë sulmojnë brutalisht të moshuarën për t’i grabitur varësen e floririt, policia greke arreston autorët Një aksident tragjik që i mori jetën një 12-vjeçari në Britaninë e Madhe ka përfunduar me dënimin me burg të shoferit përgjegjës, i cili pas ngjarjes u arratis drejt Letonisë për t’i shpëtuar drejtësisë.
Aleksanders Dolars, 23 vjeç, është dënuar me 9 vite e 4 muaj burg, pasi pranoi akuzën për shkaktim të vdekjes nga drejtimi i rrezikshëm i automjetit. Ai gjithashtu është ndaluar të drejtojë automjetin për 16 vite, raporton media britanike Dailymail.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 14 qershor 2024, në Coventry të Anglisë, kur 12-vjeçari Keaton Slater po kthehej nga shkolla së bashku me disa shokë. Dolars po drejtonte një automjet BMW me shpejtësi mbi 70 milje në orë, në një zonë ku kufiri ishte vetëm 30 milje në orë. Sipas prokurorisë, ai arriti shpejtësinë deri në 76 milje në orë dhe kaloi me shpejtësi mes automjeteve, përpara se të godiste të miturin, i cili po tentonte të kalonte rrugën.
Përplasja ishte fatale. Trupi i 12-vjeçarit u përplas me dy automjete të parkuara, ndërsa ai ndërroi jetë pak pas aksidentit. Në vend që të ndalonte për t’i dhënë ndihmën e parë fëmijës, shoferi u largua me shpejtësi. Sipas prokurores Michelle Healey, nga brenda automjetit u dëgjua dikush duke bërtitur: “Ik, ik, ik!”.
Automjeti u gjet i braktisur më shumë se 9 kilometra larg vendit të aksidentit, rreth 20 minuta më vonë. Menjëherë pas ngjarjes, Dolars u largua drejt Letonisë, ku qëndroi për më shumë se dy vite, përpara se të ekstradohej në Britani në gusht 2026. Ai u paraqit në gjykatë në Warwick dhe pranoi përgjegjësinë për vdekjen e të miturit.
Gjatë seancës gjyqësore, nëna e viktimës, Louise Slater, lexoi një deklaratë prekëse për humbjen e të birit.
“Nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë siç duhet dhimbjen e humbjes së një fëmije. Është një dhimbje që nuk të largohet kurrë. Kur Keaton doli nga dera jonë atë ditë, ne prisnim që ai të kthehej në shtëpi. Nuk e imagjinonim kurrë se po e shihnim të largohej për herë të fundit”, deklaroi ajo.
Babai, Clint Slater, e përshkroi të birin si mikun e tij më të mirë, duke thënë se dhimbja më e madhe është fakti se familja nuk do të mund të shohë kurrë se çfarë njeriu do të bëhej ai në të ardhmen.
Keaton ishte një fëmijë i gëzuar dhe energjik, i apasionuar pas futbollit dhe me ëndrrën për t’u bërë futbollist. Në korrik të vitit 2024, qindra persona morën pjesë në ceremoninë mortore të tij në Katedralen e Coventry-t, ku gjithçka ishte organizuar me ngjyrat bojëqielli, në nder të ekipit të tij të zemrës, Coventry City.
Gjyqtarja Kristina Montgomery deklaroi gjatë shpalljes së dënimit se drejtimi egoist dhe i rrezikshëm i automjetit i kishte marrë jetën një fëmije dhe kishte lënë familjen e tij përballë një humbjeje të pariparueshme.
“Frika juaj nga burgu nuk e justifikonte braktisjen e Keatonit në vendin e ngjarjes”, theksoi ajo.
Megjithatë, prindërit e 12-vjeçarit u shprehën të pakënaqur me dënimin, duke argumentuar se ai duhej të ishte më i gjatë.
“Është mirë të dimë se nuk do të jetë në gjendje të dalë në rrugë dhe t’i shkaktojë një tragjedi tjetër një familjeje, por mendoj se duhej të kishte marrë më shumë vite burg, sepse fëmija im jetoi vetëm 12 vite në këtë planet”, deklaroi nëna e viktimës.
Top Channel