KLSH fundos Bashkinë e Durrësit: 30 milionë euro tendera me shkelje nën drejtimin e Emiriana Sakos

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 13.11.2026, 19:39

Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit nxjerr në pah një sërë problematikash serioze në mënyrën se si Bashkia e Durrësit, e drejtuar nga Emiriana Sako, ka zhvilluar tenderat dhe administruar paratë publike. Bëhet fjalë për 27 procedura prokurimi me një fond limit prej 2.85 miliardë lekësh, ose rreth 30 milionë euro, ku audituesit kanë konstatuar shkelje në hartimin e kritereve dhe përzgjedhjen e kompanive fituese.

Raporti përfundimtar, i hartuar në tetor 2026, mbulon veprimtarinë e bashkisë gjatë viteve 2023–2024. Sipas KLSH-së, në disa raste kompani janë shpallur fituese edhe pse nuk përmbushnin kriteret e veçanta të përcaktuara në dokumentet e tenderit. Ndërkohë, në procedura të tjera janë konstatuar mangësi në fondin limit, specifikimet teknike dhe kritere kualifikimi të paargumentuara ose të pambështetura në ligj.

Situata është aq problematike sa KLSH i ka rekomanduar Agjencisë së Prokurimit Publik të nisë hetim administrativ dhe të marrë masa disiplinore ndaj anëtarëve të njësive të prokurimit dhe komisioneve të vlerësimit për 14 procedura konkrete. Në listë përfshihen tendera për shkolla, rikonstruksion pallatesh, rehabilitimin e shëtitores Taulantia, ndriçimin e akseve rrugore dhe rikonstruksionin e Pallatit të Kulturës.

Por problematikat nuk përfundojnë te tenderat. Nga auditimi i 11 kontratave të investimeve, me vlerë rreth 2.21 miliardë lekë, KLSH ka konstatuar diferenca mes volumeve të punimeve të faturuara dhe atyre të realizuara. Këto mospërputhje kanë sjellë një efekt financiar negativ prej 30.35 milionë lekësh pa TVSH, për të cilat kërkohet rikuperimi i shumave përkatëse.

Në raport evidentohen gjithashtu 18.7 milionë lekë të ardhura të munguara nga llogaritja e pasaktë e taksës së ndikimit në infrastrukturë, si dhe 69.89 milionë lekë gjoba të vendosura nga bashkia që rezultonin të paarkëtuara.

Përgjegjësia për administrimin e këtyre fondeve dhe funksionimin e strukturave bashkiake bie mbi drejtimin e institucionit. Madje, KLSH i kërkon shprehimisht kryetares së Bashkisë Durrës, në cilësinë e titullares së autoritetit kontraktor, të marrë masa për hartimin e kritereve të tenderëve në mënyrë objektive, transparente dhe në përputhje me ligjin.

Raporti përmban 44 gjetje dhe 45 rekomandime, ndërsa KLSH ka dhënë një opinion të kualifikuar për përputhshmërinë e veprimtarisë së bashkisë me kuadrin ligjor. Për qytetarët e Durrësit, pyetja është e thjeshtë: kush do të mbajë përgjegjësi për mënyrën se si janë administruar miliona euro nga paratë publike gjatë drejtimit të Emiriana Sakos?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit