Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, gjatë seancës së sotme plenare në Kuvendin e Kosovës, ka lëshuar një audio-incizim të kryeministrit Albin Kurti, në të cilin ai dëgjohet duke premtuar se Qeveria do të synojë uljen e çmimit të energjisë elektrike.
“Ne do ta synojmë uljen e energjisë elektrike, sepse është tepër shtrenjtë kur rrimë mbi gjithë këtë energji që kemi”, dëgjohet të thotë Kurti në incizimin e publikuar nga Bajrami.
Pas lëshimit të audio-incizimit, deputetja e LDK-së ka kritikuar ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, duke kërkuar prej saj të paraqesë planet dhe masat konkrete për të parandaluar rritjen e paralajmëruar të çmimit të energjisë elektrike.
“Po na duhet herë pas here me i sjellë këto fakte, edhe pse qytetarët e Republikës e dinë, po siç po duket ju, kolegë deputetë, i keni harruar”, ka deklaruar Bajrami.
Ajo ka thënë se ministrja Rizvanolli duhet të japë llogari për punën dhe rezultatet e saj gjatë kohës sa është në krye të Ministrisë së Ekonomisë.
“Kishte qenë mirë tash të na i tregoni planet, si do ta parandaloni ngritjen e energjisë elektrike, e cila po paralajmërohet prej zyrtarëve të ZRRE-së në fillim të vitit tjetër, e tjera, po jo me fol për historinë… Zonja ministre, sot bëhen 5 vjet, 7 muaj e 22 ditë që ju jeni ministre e këtij dikasteri. Jo, është dashur 22 ditë, ju është dashur që të bëni diçka më tepër sesa të krahasoheni me të kaluarën”, ka thënë Bajrami.
