E shtuna e pestë e protestave në Francë, autoritetet mobilizojnë 70 mijë forca policore në të gjithë vendin Një 40-vjeçar, i identifikuar si ish-truproje i Hamasit dhe djali i një zyrtari të lartë të kësaj organizate, është shpallur fajtor në Britaninë e Madhe për sulmin me thikë ndaj një përmbaruesi gjyqësor në Birmingham.
Ndërkohë, autoritetet gjermane e kërkojnë atë për përfshirje të dyshuar në një komplot për të sulmuar objektiva izraelite dhe hebraike në Evropë.
Sipas gazetës britanike The Guardian, Mohammed Alfatih, i njohur edhe si Mohammed Naim, u shpall fajtor të premten për plagosje të paligjshme, posedim të dy thikave dhe dëmtim kriminal të pronës. Ai u shpall i pafajshëm për akuzën më të rëndë të plagosjes me dashje.
Ngjarja për të cilën u dënua ndodhi më 14 tetor 2025, jashtë banesës së tij në Birmingham. Gjatë gjyqit, prokuroria paraqiti pamje filmike ku Alfatih shihej duke goditur me thikë xhamin e thyer të një furgoni dhe duke tundur dy thika të mëdha kuzhine.
Përmbaruesi Kevin Bucknall pësoi prerje në kokë dhe u dërgua në spital për trajtim. I pandehuri pretendoi se kishte vepruar në vetëmbrojtje.
Çështja merr një dimension tjetër për shkak të hetimeve që autoritetet gjermane po zhvillojnë ndaj Alfatihut. Sipas Guardian, ai dyshohet se ka qenë pjesë e një rrjeti të lidhur me Hamasin, i cili kishte planifikuar sulme ndaj objektivave hebraike dhe izraelite në Gjermani dhe Austri.
Në shtator, prokurorët gjermanë ngritën akuza ndaj shtatë personave të dyshuar si anëtarë të Hamasit, lidhur me një komplot për të goditur objektiva izraelite dhe hebraike në Evropën Qendrore, rreth përvjetorit të dytë të sulmit të 7 tetorit ndaj Izraelit.
Sipas autoriteteve gjermane, Mohammed A. kishte luajtur një rol të rëndësishëm në transportimin dhe ruajtjen e armëve. Ai po ndiqet penalisht veçmas, pasi ishte arrestuar në Britani dhe nuk ishte kthyer në Gjermani.
Hetimi gjerman pretendon gjithashtu se ai kishte lidhje me drejtuesit e Hamasit dhe kishte regjistruar paraprakisht një video për të marrë përgjegjësinë për një sulm në emër të organizatës. Komploti i dyshuar u pengua nga shërbimi i inteligjencës së brendshme gjermane, pas informacioneve të siguruara nga Mossad, shërbimi sekret izraelit.
Një tjetër detaj i rëndësishëm është se Alfatih ishte nën mbikëqyrjen e një njësie kundër terrorizmit në momentin kur kreu sulmin ndaj përmbaruesit. Ai ishte liruar me kusht, ndërsa po hetohej për dyshime lidhur me një vepër terroriste, vetëm pak ditë përpara incidentit në Birmingham.
Gjatë gjyqit, juria nuk u informua për lidhjet e tij të pretenduara me Hamasin dhe as për hetimin kundër terrorizmit ndaj tij.
Alfatih, i lindur në Gjermani, kishte marrë azil në Britani në vitin 2015 dhe shtetësi britanike në vitin 2020. Sipas raportimeve, përpara se të transferohej në Mbretërinë e Bashkuar, ai ishte fotografuar duke punuar për një ish-udhëheqës të Hamasit. Autoritetet gjermane kërkojnë ekstradimin e tij, i cili pritet të shqyrtohet pasi ai të vuajë dënimin në Britani.
Top Channel