Shqiptarja kapet me 86 kg marijuanë në Igumenicë
Një shtetase shqiptare është arrestuar në Igumenicë të Greqisë, pasi policia zbuloi në automjetin që drejtonte një sasi prej më shumë se 86 kilogramësh marijuanë.
Operacioni u zhvillua në kuadër të kontrolleve të posaçme kundër trafikut të lëndëve narkotike. Gjatë verifikimeve, efektivët ndaluan për kontroll makinën që drejtohej dhe ishte në pronësi të gruas shqiptare.
Nga kontrolli i detajuar i automjetit u zbuluan 80 pako me lëndë narkotike, me një peshë totale prej 86 kilogramësh e 438 gramësh.
Sipas hetimeve paraprake, droga dyshohet se ishte ngarkuar në zonën e kufirit të gjelbër mes Shqipërisë dhe Greqisë, me destinacion transportimin drejt brendësisë së territorit grek.
Policia sekuestroi të gjithë sasinë e marijuanës, si dhe automjetin që dyshohet se ishte përdorur për transportin e saj. Ndaj të arrestuarës është nisur procedimi penal, ndërsa ajo pritet të dalë përpara Prokurorisë së Shkallës së Parë të Thesprotisë.
Trafiku përmes aksit Sarandë–Igumenicë
Rasti i fundit vjen në një periudhë kur autoritetet greke kanë evidentuar një numër të konsiderueshëm sekuestrimesh të lëndëve narkotike që dyshohet se transportohen nga Shqipëria drejt Greqisë.
Gjatë 15 muajve të fundit, policia greke ka sekuestruar rreth 1.4 ton marijuanë në zona të ndryshme, mes tyre Igumenicë, Janinë, Kostur, Follorinë dhe Selanik.
Një prej itinerareve që përdoret për këtë trafik është aksi Sarandë–Igumenicë. Sipas të dhënave të raportuara, pothuajse gjysma e sasisë së drogës së kapur në këto zona është transportuar përmes kësaj linje.
Në një tjetër operacion të zhvilluar më herët në Igumenicë, autoritetet greke kanë sekuestruar edhe një skaf që dyshohej se përdorej për transportimin e lëndëve narkotike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



