Shqiptarja Kozeta Miliku ka shënuar një tjetër arritje në karrierën e saj akademike në Kanada, duke u emëruar në pozitën e Kryetares së Kërkimeve të Nivelit 2 të Kanadasë në fushën e të Ushqyerit dhe Shëndetit të Fëmijëve dhe të Rinjve, në Universitetin e Torontos.

Sipas njoftimit zyrtar të Universitetit të Torontos, të publikuar më 12 nëntor, Miliku është në mesin e studiuesve të emëruar në Katedrat e reja të Kërkimit në Kanada. Për këtë pozitë, kërkimet e saj do të mbështeten me 500 mijë dollarë kanadezë gjatë pesë viteve të ardhshme, shkruan Telegrafi.


Miliku është profesoreshë asistente në Departamentin e Shkencave të Ushqyerjes, në Fakultetin e Mjekësisë Temerty të Universitetit të Torontos. Përmes punës së saj kërkimore, ajo studion ndikimin e ushqyerjes në zhvillimin e fëmijëve dhe lidhjen e saj me rrezikun e shfaqjes së sëmundjeve kronike.

Hulumtimet e saj përfshijnë periudha të ndryshme të jetës, duke nisur nga ushqyerja e prindërve para ngjizjes, me vëmendje të veçantë ndaj baballarëve, e deri te puberteti dhe adoleshenca. Këto faza janë në fokus të studimeve të saj për të kuptuar se si ushqyerja ndikon në rritjen dhe shëndetin e fëmijëve.

Ajo shërben gjithashtu si oficere e shkencës klinike në Studimin CHILD Cohort dhe drejton programin e kërkimit kardiometabolik. Përmes këtij studimi afatgjatë, i cili përcjell fëmijët gjatë rritjes, Miliku hulumton lidhjet ndërmjet ushqyerjes, zhvillimit dhe problemeve të ndryshme shëndetësore.

Ndër fushat që ka trajtuar në hulumtimet e saj është edhe ndikimi i ushqimeve ultra të përpunuara në shëndetin fizik dhe mendor të fëmijëve. Në një studim tjetër, ajo dhe kolegët e saj kanë shqyrtuar lidhjen ndërmjet konsumit të qumështit në fëmijërinë e hershme dhe rrezikut për mbipeshë në vitet e mëvonshme.

Rrugëtimin akademik, Miliku e nisi në Shqipëri, ku në vitin 2013 përfundoi studimet e mjekësisë në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë. Në vitin 2017, ajo vazhdoi studimet e doktoratës në epidemiologji klinike në Universitetin Erasmus në Roterdam të Holandës.

Më pas u zhvendos në Kanada, ku kreu trajnime pasdoktorale fillimisht në Universitetin e Manitobës dhe më vonë në Universitetin McMaster. Gjatë kësaj periudhe, ajo u përqendrua në hulumtimin e ndikimit të ushqyerjes dhe gjenetikës në zhvillimin e sëmundjeve kronike te fëmijët.

Emërimi i ri në Universitetin e Torontos shënon një tjetër hap në karrierën e saj kërkimore, e cila nisi në Shqipëri dhe vazhdoi në Holandë e Kanada, ku Miliku tashmë po kontribuon në studimet për shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve./Telegrafi/