Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje nga Kukësi për bashkëpunim mes forcave politike opozitare dhe partive të reja, me qëllim rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës.
Gjatë takimit në kuadër të nismës “Ripërtëritja”, Berisha mbrojti qëndrimin për bashkëpunim edhe me kundërshtarët politikë, duke theksuar se përballë asaj që e cilësoi si të keqen më të madhe të vendit, duhet të vendoset interesi kombëtar mbi atë partiak.
Berisha: Të dashur qytetarë, demokratë dhe banorë të Kukësit, Hasit dhe Tropojës, mirënjohje të thellë për mbështetjen dhe votën tuaj ndaj Partisë Demokratike. Ajo votë ishte para së gjithash votë për pluralizmin politik, lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve, të cilat u kërcënuan në mënyrën më brutale nga regjimi i Edi Ramës.
Edi Rama kërkon ta shndërrojë Shqipërinë përfundimisht në një çiflig të drogës dhe mafies më të rrezikshme në Europë, si dhe të dëbojë masivisht shqiptarët nga vendi.
Lëvizja e fuqishme popullore e qershorit ishte një uragan i vërtetë. Populli u ngrit me gjithë lartësinë e idealit për liri dhe dinjitet. Në këtë lëvizje shkëlqeu guximi i pashoq dhe trimëria e jashtëzakonshme e vajzave të universiteteve dhe gjimnazeve të Tiranës.
Studentët dhe gjimnazistët i dhanë Edi Ramës dënimin, vdekje politike pa apel!
Partia Demokratike dha mbështetje të plotë për protestën. Ne u bashkuam me qytetarët me një kod të hekurt: asnjë përpjekje për të kapur protestën, asnjë kritikë ndaj protestës dhe prani maksimale. Ne kemi një moto: I pari qytetari. Ne duam flamurin, por duam qytetarin të parin.
Ne thamë: Në qoftë se ti konsideron Edi Ramën të keqen më të madhe të këtij kombi, hajde të bashkëpunojmë, ta rrëzojmë dhe pastaj armiq mbetemi. Të votojnë të lirë qytetarët shqiptarë dhe secili të ndjekë rrugën e vet.
Partia Demokratike, në 35 vite, ka shkruar historinë e lirisë së shqiptarëve. Është historia e përmbysjes së diktaturës më të egër komuniste, e shndërrimit të shqiptarëve në qytetarë të lirë me dinjitet dhe pronë. Është historia e transformimit të Shqipërisë, anëtarësimit në NATO dhe Këshillin e Europës.
E vërteta është se me betejën për të krijuar një opozitë të kontrolluar në Shqipëri, ata përfunduan në banesën e turpit të historisë. Ata do të regjistrohen si tradhtarë të pluralizmit politik, kurse Partia Demokratike ecën e sigurt drejt fitores.
Edi Rama sot nuk është vetëm njeriu më i urryer i shqiptarëve, por edhe i njerëzve të lirë në Europë dhe në botë.
Nderim për ju që nuk u dorëzuat në kohërat më të vështira, por mbështetët pluralizmin dhe e mbajtët atë gjallë!













