Arrestohet në Igumenicë një grua me mbi 86 kg kanabis në makinë
Një grua është arrestuar mëngjesin e sotëm, 13 nëntor 2026, në Igumenicë të Greqisë, pasi në automjetin që drejtonte u zbuluan mbi 86 kilogramë kanabis. Operacioni u zhvillua nga efektivët e Departamentit të Narkotikëve të Policisë së Igumenicës, gjatë kontrolleve të përqendruara kundër trafikimit të lëndëve narkotike.
Sipas njoftimit të Policisë Greke, automjeti privat, në pronësi të gruas, u ndalua për kontroll. Gjatë kontrollit, policia zbuloi 80 pako me kanabis të papërpunuar, me një peshë totale prej 86 kilogramësh e 438 gramë.
Ende nuk jepen detaje se ku ishte siguruar kjo sasi e konsiderueshme droge dhe cili ishte destinacioni përfundimtar i saj. Gjithashtu, autoritetet nuk kanë sqaruar nëse lënda narkotike ishte futur në territorin grek nga Shqipëria apo kishte një tjetër origjinë.
Policia greke ka sekuestruar të gjithë sasinë e kanabisit, si dhe automjetin që përdorej për transportin e tij. Ndaj gruas është ngritur akuzë penale për shkelje të legjislacionit mbi lëndët narkotike.
E arrestuara do të paraqitet përpara Prokurorisë së Shkallës së Parë të Thesprotisë, ndërsa mbeten të paqarta rrethanat e sigurimit dhe transportimit të drogës, si dhe personat e tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rast. Saranda Web