Një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në pikën kufitare të Kakavijës, pasi ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti evropian nga autoritetet zvicerane.
Arrestimi u krye në orët e para të mëngjesit të së enjtes, më 12 nëntor, në momentin kur ai po hynte në Greqi. Gjatë kontrollit të dokumenteve, efektivët e Departamentit të Kontrollit të Pasaportave konstatuan se ndaj tij kishte një urdhër arresti ndërkombëtar.
Sipas autoriteteve zvicerane, shqiptari kërkohet për veprat penale të trafikut të paligjshëm të narkotikëve dhe substancave psikotrope, si dhe pastrimit të parave. Për këto vepra, legjislacioni zviceran parashikon një dënim maksimal deri në 20 vite burg.
Pas arrestimit, ai u shoqërua në Nëndrejtorinë e Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimeve në Janinë, për t’u paraqitur më tej përpara Prokurorisë së Apelit të këtij qyteti, ku do të ndiqen procedurat përkatëse.

