Gashi: Radoiçiqi nuk mund të llogarisë më në mbrojtjen e pushtetit serb

Avokati Shkëlzen Sopjani dhe avokati Tomë Gashi kanë komentuar mundësinë që Milan Radoiçiqi të jetë strehuar në Rusi, duke vlerësuar se ky shtet mund të jetë vendi më i sigurt për të, në kushtet e zhvillimeve të pritshme politike në Serbi.

Sopjani, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se më herët në disa kanale ishte diskutuar mundësia që Radoiçiqi të ketë shkuar në Rusi, ndërsa si destinacion i mundshëm ishte përmendur edhe Republika Srpska. Megjithatë, sipas tij, kjo e fundit nuk ofron të njëjtën siguri.

“Streha më e sigurt për Radoiçiqin është Rusia, sepse në kanale të caktuara më herët në Rusi është diskutuar se ka shkuar atje. Flitej se është edhe në Republikën Srpska, por që atje nuk është strehë aq e sigurt për të. Për t’i mbrojtur njerëz të tillë, vendi më i sigurt është Rusia. Po ashtu, ka investime të mëdha në Rusi, si hotele e biznese të ndryshme, për atë mbetet vend i sigurt për të”, u shpreh Sopjani.

Ndërkaq, avokati Tomë Gashi ka deklaruar se Radoiçiqi mund të mos e ketë më të garantuar mbrojtjen nga pushteti aktual serb, për shkak të ndryshimeve politike që pritet të ndodhin në Serbi.

Ai e ka cilësuar Radoiçiqin si terrorist, duke përmendur edhe sulmin në Banjskë dhe faktin se ai vazhdon të kërkohet nga INTERPOL-i.

“Radoiçiqi që është një terrorist, nuk ka rrugëdalje tjetër për shkak të ndryshimeve që priten të jenë në pushtetin e Serbisë dhe pavarësisht mbrojtjes që e ka pasur, pushteti më nuk e mbron. Përtej mëkateve që Vuçiqi i ka bërë me të, si sulmi terrorist në Banjskë, ai vazhdon të jetë në kërkim të INTERPOL-it dhe pushteti i ri nuk dëshiron të merret më me këso lloj njerëzish”, u shpreh Gashi.

Të fundit nga rubrika