Një nënë nga Vlora po kërkon ndihmën e qytetarëve për të gjetur djalin e saj 24-vjeçar, Xhuliano Aliu, i cili është larguar nga banesa mbrëmjen e së mërkurës dhe prej dy ditësh familja nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tij.
Nëna e të riut i është drejtuar redaksisë sonë për të bërë publik rastin, me shpresën se dikush mund ta ketë parë ose mund të ndihmojë në gjetjen e tij. Sipas saj, kontakti i fundit me Xhulianon ka qenë rreth orës 22:00, ndërsa telefoni i tij rezulton i fikur.
24-vjeçari është parë për herë të fundit në rrugën e Çipajve, në Vlorë. Në momentin e largimit nga banesa, ai mbante veshur xhinse bojëqielli, një bluzë të zezë dhe një kapele në ngjyrë bezhë.
Familjarët bëjnë me dije se kanë bërë kallëzim në polici dhe se janë informuar nga efektivët se kërkimet për gjetjen e tij vijojnë.
Nëna apelon për ndihmën e kujtdo që mund të ketë informacion për vendndodhjen e djalit të saj.
Kushdo që e ka parë Xhulianon ose ka ndonjë informacion që mund të ndihmojë në gjetjen e tij, lutet të kontaktojë në numrin +355 69 456 5423 ose të njoftojë menjëherë Policinë.
Çdo informacion, sado i vogël, mund të jetë i rëndësishëm për familjen.