Moska kërkon ndryshimin e rendit të sigurisë në Evropë, përtej Ukrainës. Në tryezën e negociatave në Abu Dhabi raportohet se janë përfshirë edhe Moldavia, Bjellorusia dhe prania ushtarake e NATO-s në Evropën Veriore.

Rusia ka paraqitur një sërë kërkesash të gjera në kuadër të diskutimeve për përfundimin e luftës në Ukrainë, të cilat synojnë jo vetëm ndryshimin e kufijve dhe statusit të territoreve ukrainase, por edhe rikonfigurimin e pranisë ushtarake të NATO-s në Evropë.

Sipas një raportimi të gazetës gjermane Bild, të cituar nga Agjencia Anadolu, propozimet u janë prezantuar përfaqësuesve evropianë gjatë bisedimeve në Abu Dhabi dhe përfshijnë kërkesa që shtrihen deri në vendet baltike, Finlandë, Moldavi dhe Bjellorusi.

Ndër kërkesat kryesore të Moskës raportohet të jenë mbajtja e të gjitha territoreve ukrainase të pushtuara aktualisht, si dhe marrja e pjesëve të mbetura të rajoneve Donetsk dhe Luhansk që kontrollohen ende nga Kievi.

Gjithashtu, Rusia kërkon që Ukraina të heqë dorë përfundimisht nga anëtarësimi në NATO, ndërsa mundësia e integrimit në Bashkimin Evropian të mbetet e hapur.

1-Kërkesat për NATO-n: Finlanda jashtë aleancës, baza ushtarake larg Baltikut

Një prej pikave më të rëndësishme të propozimeve lidhet me praninë e NATO-s në Evropën Veriore.

Sipas Bild, Moska kërkon largimin e të gjitha bazave ushtarake të NATO-s nga Estonia, Letonia dhe Lituania. Për Finlandën, kërkesa e raportuar është edhe më e drejtpërdrejtë: largimi nga Aleanca Atlantike dhe rikthimi në statusin që kishte përpara anëtarësimit.

Megjithatë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, mohoi se Rusia kishte kërkuar tërheqjen e Finlandës nga NATO.

“Nuk di asgjë për këtë. Jo, nuk u vendosën kushte të tilla. Kjo absolutisht nuk u diskutua”, deklaroi Peskov.

2-Odesa dhe Nikolajevi, jashtë përdorimit si baza detare

Propozimet e raportuara përfshijnë edhe demilitarizimin e porteve ukrainase të Odesës dhe Nikolajevit në Detin e Zi, duke mos lejuar përdorimin e tyre si baza detare.

Në të njëjtën kohë, Moska kërkon marrëveshje të veçanta që do të garantonin lirinë e lundrimit në Detin e Zi dhe Detin Baltik.

3-Moldavia dhe Bjellorusia pjesë e marrëveshjes së mundshme

Sipas gazetës bjelloruse Nasha Niva, propozimet ruse përfshijnë edhe një riorganizim politik të Moldavisë, e cila do të shndërrohej në një republikë federale, ku do të përfshiheshin Moldavia, rajoni autonom i Gagauzisë dhe Transnistria.

Në rast të anëtarësimit të Moldavisë në Bashkimin Evropian, Transnistrisë dhe Gagauzisë do t’u jepej mundësia të organizonin referendume për pavarësi.

Në këmbim të këtyre lëshimeve, Rusia thuhet se është e gatshme të tërheqë armët bërthamore nga Bjellorusia dhe të heqë dorë nga vendosja e raketave me rreze të mesme veprimi, përfshirë sistemet Iskander dhe Oreshnik.

Propozimi përfshin gjithashtu tërheqjen e trupave ruse nga rajoni separatist i Transnistrisë.

4-Putin kundërshton trupat e huaja në Ukrainë

Ndërkohë, gjatë takimit me të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, presidenti rus Vladimir Putin përsëriti kundërshtimin e Moskës ndaj çdo pranie të trupave të huaja në Ukrainë pas një marrëveshjeje paqeje.

Putin paralajmëroi se çdo forcë evropiane e vendosur në Ukrainë në kuadër të garancive të sigurisë do të konsiderohej objektiv legjitim ushtarak dhe se një zhvillim i tillë mund të çonte në rifillimin e menjëhershëm të luftimeve.

Ai hodhi poshtë gjithashtu idenë e krijimit të zonave të çmilitarizuara apo zonave gri ndërmjet forcave ruse dhe ukrainase, duke këmbëngulur se kufiri shtetëror duhet të jetë e vetmja vijë ndarëse.

Instituti për Studimin e Luftës (ISW) e interpretoi këtë qëndrim si një riafirmim të kërkesës së Moskës për kontrollin e plotë të rajoneve Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhia, përfshirë territore që aktualisht nuk kontrollohen nga ushtria ruse.

Nga ana tjetër, Moska nuk ka shfaqur gatishmëri për shkëmbime territoriale. Këshilltari presidencial rus, Vladimir Medinsky, deklaroi se Rusia kundërshton shkëmbimet e territoreve dhe do të vazhdojë zgjerimin e asaj që e cilëson si “zonë sigurie” në rajonet ukrainase Sumy dhe Kharkiv.

5-Mbetet e paqartë nëse Putin i mbështet të gjitha propozimet

Bild thekson se dokumenti i raportuar është vetëm një prej disa propozimeve që qarkullojnë në qarqet joformale të negociatave dhe nuk është e qartë nëse presidenti Putin i mbështet personalisht të gjitha kërkesat.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: