Pas gati 13 vitesh të kaluara në burg, Monica Busetto është liruar nga qelia, pasi Gjykata e Apelit në Trento ka pranuar kërkesën e dytë për rihapjen e procesit gjyqësor që lidhet me vrasjen e një 87-vjeçareje në Itali.

64-vjeçarja ishte dënuar me 25 vite burg për vrasjen e fqinjës së saj, Lida Taffi Pamio, e cila u gjet e pajetë në banesën e saj në Mestre, në dhjetor të vitit 2012.

Megjithatë, çështja mori një kthesë të papritur pas rrëfimit të Susanna Milly Lazzarini, e dënuar për një tjetër vrasje të kryer në vitin 2015. Ajo pranoi se kishte vrarë edhe 87-vjeçaren Pamio, duke vënë në pikëpyetje fajësinë e Monica Busettos.

Lazzarini kishte pranuar gjithashtu vrasjen e Francesca Vianellos, një krim i kryer në rrethana të ngjashme. Pas këtij rrëfimi, nisi një betejë e gjatë ligjore për rishikimin e vendimit ndaj Busettos, e cila gjatë gjithë kësaj kohe kishte pretenduar se ishte e pafajshme.

Tashmë, vendimi i Gjykatës së Apelit në Trento i ka hapur rrugën lirimit të saj, pas afro 13 vitesh pas hekurave.

Rasti ka rikthyer debatin mbi një nga çështjet më të diskutueshme të drejtësisë italiane, duke ngritur pikëpyetje mbi mundësinë e një dënimi të gabuar dhe vitet e jetës që 64-vjeçarja kaloi në burg për një krim që, sipas rrëfimit të një tjetër gruaje, nuk e kishte kryer ajo.