Një parashikim i publikuar më shumë se gjashtë dekada më parë po bën xhiron e rrjeteve sociale, pasi lidhet pikërisht me datën 13 nëntor 2026, duke e cilësuar atë si një moment kritik për të ardhmen e njerëzimit.

Bëhet fjalë për një studim të botuar në nëntor të vitit 1960 në revistën shkencore “Science”, nga fizikani Heinz von Foerster dhe studiuesit Patricia Mora dhe Lawrence Amiot, të Universitetit të Illinoisit.

Në artikullin me titull “Doomsday: Friday, 13 November, A.D. 2026”, autorët shqyrtuan të dhënat historike të popullsisë së Tokës, nga viti 400 para Krishtit deri në vitin 1958, për të analizuar ritmet e rritjes demografike.

Përmes një modeli matematikor, studiuesit arritën në përfundimin se, nëse tendenca e asaj kohe do të vazhdonte pa ndryshime, më 13 nëntor 2026 popullsia botërore do të arrinte një pikë të quajtur “singularitet”, ku numri i njerëzve do të bëhej teorikisht i pafundëm. Një skenar i tillë do të nënkuptonte tejkalimin e çdo mundësie për të përballuar nevojat e popullsisë me hapësirën dhe burimet e disponueshme.

Zgjedhja e kësaj date kishte edhe një domethënie personale. 13 nëntori ishte ditëlindja e von Foerster dhe në vitin 2026 përkonte me ditën e premte, duke krijuar një lidhje simbolike me të ashtuquajturën “e premte e zezë” në traditën anglosaksone.

Megjithatë, studimi nuk ishte një parashikim literal i fundit të botës. Përmes tij, studiuesit synonin të tërhiqnin vëmendjen mbi rrezikun e një rritjeje të pakufizuar të popullsisë dhe pasojat që ajo mund të sillte për planetin.

Zhvillimet e dekadave pasuese treguan se parashikimi nuk u realizua sipas modelit të propozuar. Që nga vitet 1970, ritmet e shtimit të popullsisë nisën të ngadalësoheshin, ndërsa në shumë vende numri i lindjeve pësoi rënie.

Sipas projeksioneve të Kombeve të Bashkuara, popullsia globale, e vlerësuar aktualisht në rreth 8,2 miliardë banorë, pritet të arrijë kulmin prej afërsisht 10,3 miliardë njerëzish në mesin e viteve 2080, përpara se të nisë një rënie graduale.

Pra, data 13 nëntor 2026 nuk paralajmëron një katastrofë apo zhdukjen e njerëzimit. Ajo rikthen në vëmendje një studim që tregoi se parashikimet matematikore mund të ndryshojnë ndjeshëm kur nuk marrin parasysh evolucionin e shoqërisë, ekonomisë dhe sjelljes njerëzore.