Pagat rriten nga mungesa e stafit, Banka e Shqipërisë: Emigrimi po zbraz tregun e punës, bizneset rrisin pagat

13/11/2026 16:31

Pagat në Shqipëri po rriten por pas kësaj nuk qëndron vetëm zgjerimi i aktivitetit ekonomik. Bizneset po përballen gjithnjë e më shumë me mungesën e punonjësve, duke u detyruar të ofrojnë paga më të larta për të tërhequr dhe mbajtur fuqinë punëtore.

Një tendencë që konfirmohet edhe nga raporti i fundit i Bankës së Shqipërisë, i cili evidenton një treg pune të shtrënguar dhe mungesa të vazhdueshme të punonjësve.

Ndërsa raportet te INSTAT tregojnë për një rritje të pagës mesatare mujore bruto. Sipas të dhënave të INSTAT në 92 mijë e 150 lekë në tremujorin e dytë të vitit 2026 dhe një rritje të punësimit në sektorin privat jobujqësor me 2.3% dhe papunësia në zbritje në 8.3%, Banka e Shqipërisë evidenton se bizneset vijojnë të përballen me mungesë të fuqisë punëtore, duke ushtruar presion për rritjen e pagave.

Ekspertët shprehen se në kushtet kur oferta e fuqisë punëtore nuk arrin të përmbushë kërkesën e bizneseve, rritja e pagave po kthehet në një domosdoshmëri për të mbajtur aktivitetin ekonomik.

Në raportet e saj Banka e Shqipërisë rendit si problem kryesor emigrimin e fuqisë punëtore duke e klasifikuar jo thjesht si një plagë sociale, por si një rrezik që po godet rritjen ekonomike dhe po destabilizon shumë sektorë në vend.

Top Channel