Deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, i ka drejtuar një mesazh ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, përmes një letre të vendosur para tij në Kuvend, duke kritikuar mungesën e barnave në institucionet publike shëndetësore.
Në letër shkruhej: “Merr para borxh, dhe blej barna. Arben Vitia jam”.
Përmes këtij mesazhi, Bytyqi ka adresuar gjendjen e pacientëve të cilët, për shkak të mungesës së barnave në institucionet publike, detyrohen t’i blejnë ato me paratë e tyre, madje edhe duke marrë borxh.
Gjatë fjalimit të saj në Kuvend, deputetja tha se është e papranueshme që në vitin 2026 qytetarët të detyrohen të hyjnë në borxhe për të siguruar terapinë e nevojshme.
“Në vitin 2026 një qytetar i Kosovës të detyrohet të marrë pare borxh për të blerë barna që shteti, përmes institucioneve të tij shëndetësore, e ka obligim t’ia sigurojë. Në vendin tonë kemi pacientë që, për shkak të mungesës së këtyre barnave në institucionet publike shëndetësore, detyrohen t’i blejnë ato me paratë e tyre, duke hyrë në borxhe dhe obligime financiare vetëm që të vazhdojnë trajtimin”, deklaroi Bytyqi.
Ajo iu drejtua drejtpërdrejt ministrit Vitia, duke theksuar se mungesa e barnave nuk është thjesht çështje administrative, por problem që ndikon drejtpërdrejt në jetën dhe trajtimin e pacientëve.
“Pra, zoti ministër, këtu nuk po flasim vetëm për një problem administrativ, por po flasim për jetën e njerëzve, për pacientë që kanë nevojë për terapi në kohën e duhur”, tha ajo.