Pacientët që për shkak të gjendjes fizike nuk kanë mundësi të paraqiten në qendrat shëndetësore, synohet të marrin kujdes mjekësor në banesë në të gjithë vendin.
Aktualisht, ky shërbim ofrohet në rreth 50% të qendrave shëndetësore, ndërsa objektivi është shtrirja e tij në të gjitha qendrat.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, deklaroi se për realizimin e këtij synimi, shërbimi i kujdesit shëndetësor në banesë duhet të përfshihet në paketën e kujdesit shëndetësor parësor dhe të ketë financim të përcaktuar.
“Fondi i kujdesit shëndetësor duhet ta përfshijë në paketën e kujdesit shëndetësor parësor dhe ta kostifikojë këtë eksperiencë, që nga afërsisht 50% të qendrave ta çojmë në 100% të qendrave tona shëndetësore”, deklaroi Spahiu.
Ministrja e bëri këtë deklaratë gjatë përmbylljes së projektit 12-vjeçar “Shëndet për të Gjithë”, i mbështetur nga qeveria zvicerane.
Në kuadër të këtij projekti janë mbështetur 208 qendra shëndetësore, janë rehabilituar ose rindërtuar 31 objekte dhe kanë përfituar mbi 241 mijë banorë. Gjithashtu, janë trajnuar 2 419 mjekë dhe infermierë.
Sipas Spahiut, përvoja e krijuar nga trajnimi i personelit mjekësor për ofrimin e kujdesit në banesë duhet të ruhet dhe të zgjerohet.
“Trajnimi i këtyre infermierëve dhe i gjithë ekipit të mjekëve për kujdesin në shtëpi ka qenë një eksperiencë që ne duhet jo vetëm ta ruajmë, por ta çojmë përpara”, u shpreh ajo.
Spahiu theksoi se roli i qendrave shëndetësore nuk duhet të kufizohet vetëm te vizitat dhe trajtimet që kryhen brenda ambienteve të tyre. Sipas saj, ato duhet të ofrojnë mbështetje edhe për personat që, për shkak të gjendjes fizike, nuk kanë mundësi të paraqiten për të marrë shërbimin shëndetësor.
“Qendra shëndetësore sot, në konceptin tonë, nuk është vetëm një qendër që duhet të kujdeset për shëndetin e njerëzve, por duhet të kujdeset edhe në aspektin social. Këto investime bëhen për ata njerëz që janë të pamundur të kenë shërbim në qendra shëndetësore, sepse nuk kanë mundësi fizike të afrohen te qendra shëndetësore”, tha ministrja.