Microsoft njofton përmirësim të shërbimeve pas ndërprerjes globale, miliona përdorues 18 orë pa akses

13 Nëntor 2026 | 15:48

Microsoft ka njoftuar se po shënon përparim në rikthimin e shërbimeve pas një ndërprerjeje të madhe globale, e cila la miliona përdorues në mbarë botën pa akses në platformat dhe mjetet e saj digjitale.

Në një deklaratë të fundit, kompania bëri të ditur se situata në Evropë po përmirësohet, me rritjen e disponueshmërisë së shërbimeve dhe rikthimin gradual të shpërndarjes së email-eve në një pjesë gjithnjë e më të madhe të infrastrukturës.

“Japonia mbetet relativisht më e qëndrueshme, ndërsa situata në Amerikën e Veriut po përmirësohet gjithashtu. Megjithatë, disa klientë mund të përjetojnë ende ndërprerje në aksesin në shërbime ndërsa vazhdojnë veprimet e rimëkëmbjes”, deklaroi Microsoft, raporton BBC.

Kompania theksoi se ekipet teknike janë të përqendruara në zgjidhjen e problemeve të mbetura dhe rikthimin e plotë të shërbimeve.
Ndërprerja globale, e cila zgjati të paktën 18 orë, preku miliona përdorues, duke shkaktuar probleme në aksesin në email-in Outlook, platformën e komunikimit dhe videokonferencave Teams, si dhe në mjete të tjera që përdoren çdo ditë nga bizneset, institucionet arsimore dhe shërbimet publike.

Pasojat më të ndjeshme u raportuan në Shtetet e Bashkuara dhe Australi, por problemet u shtrinë edhe në rajone të tjera të botës, duke shkaktuar vështirësi në funksionimin e përditshëm të kompanive dhe organizatave, raportoi CNN.

Në SHBA, disa punonjës u detyruan të përfundonin më herët ditën e punës për shkak të pamundësisë për të përdorur sistemet e brendshme të kompanive. Ndërsa në Australi, disa biznese hasën vështirësi në printimin e faturave dhe disa shkolla nuk arritën të zhvillonin mësimet e planifikuara online.

Problemet prekën edhe sektorë të tjerë. Mediat australiane raportuan ndërprerje të transmetimeve të drejtpërdrejta nga gjykatat, vështirësi në zhvillimin e intervistave të punës online, si dhe probleme në qendrat e shpërndarjes që furnizojnë supermarketet.
Microsoft kishte bërë të ditur më herët se po punonte për stabilizimin e infrastrukturës së serverëve dhe rikthimin e shërbimeve. Përpjekjet fillestare, përfshirë rinisjen e infrastrukturës së prekur, sollën disa rezultate pozitive, por nuk garantuan një rikuperim të qëndrueshëm.

Në një përditësim të mëvonshëm në llogarinë zyrtare të njoftimeve për incidentet e Microsoft 365 në rrjetin social X, kompania pranoi se rikthimi i qëndrueshëm i shërbimeve nuk ishte konfirmuar ende.

Pavarësisht përmirësimeve të raportuara, Microsoft paralajmëron se një pjesë e përdoruesve mund të vijojnë të përballen me probleme deri në përfundimin e plotë të procesit të rikuperimit.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Dështon tentativa për uljen e avionit në Angli, bishti prek pistën e Heathrow (VIDEO)

Një avion i kompanisë ajrore British Airways është filmuar teksa bishti i tij godet pistën gjatë përpjekjes për t’u ulur në aeroportin Heathrow të Londrës,...
15:26 | 13/11/2026

Bundestagu zgjeron kompetencat e shërbimeve gjermane të inteligjencës 

Bundestagu ka miratuar një reformë të legjislacionit të inteligjencës që zgjeron kompetencat e shërbimeve në luftën kundër spiunazhit, terrorizmit dhe sabotimit. Një total prej 309...
14:49 | 13/11/2026

13 nëntori 2026 duhej të shënonte fundin e botës, pse dështoi parashikimi i shkencëtarëve pas 66 vjetësh?

Data 13 nëntor 2026 ishte përcaktuar 66 vjet më parë si momenti kur njerëzimi mund të përballej me një katastrofë për shkak të mbipopullimit të...
14:32 | 13/11/2026