Një investigim i publikuar nga gazeta italiane “Corriere della Sera” sjell në vëmendje aktivitetin e rrjeteve kriminale shqiptare në trafikun ndërkombëtar të kokainës, duke ndjekur gjurmët e tyre nga Maqedonia e Veriut dhe Italia deri në Dubai. Në fokus janë disa personazhe të akuzuar për përfshirje në trafikun e drogës, organizimin kriminal dhe pastrimin e parave, të cilët, sipas medias italiane, kanë krijuar lidhje me grupe kriminale në disa vende të Europës. Artikulli ndalet veçanërisht te klani i Sarajit, në periferi të Shkupit, dhe te figura si Sheval Muaremi, Eneo Carka, i njohur me nofkën “Napoleoni”, dhe Denis Matoshi, i njohur si Eldi Dizdari. Sipas raportimit, këta emra lidhen me rrjete të trafikut të kokainës që shtrihen në Belgjikë, Britaninë e Madhe dhe Itali, ndërsa Dubai përmendet si një destinacion ku disa prej personave të kërkuar apo të akuzuar kanë qëndruar për një kohë të gjatë. Duke cituar Xhelal Nezirin, drejtues i Institutit Ballkanik për Median dhe Demokracinë në Tetovë, gazeta përcjell edhe një vlerësim mbi ndikimin e krimit të organizuar në Maqedoninë e Veriut: “Çdo shtet e ka mafien e vet, por tek ne shpesh krijohet përshtypja se është mafia ajo që ka një shtet”.