Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paraqitur qëndrimet e opozitës për reformën zgjedhore dhe ndryshimet që, sipas tij, nevojiten për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri.
Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së, Berisha kërkoi lista 100 për qind të hapura, krijimin e një institucioni zgjedhor me të drejta të barabarta për të gjitha forcat politike dhe ndarjen e shtetit nga partia.
Kryedemokrati akuzoi mazhorancën për përdorimin e institucioneve shtetërore në funksion të pushtetit politik, duke argumentuar se pa një ndarje të qartë mes partisë dhe shtetit nuk mund të zhvillohen procese zgjedhore të lira dhe të ndershme.
“Me Edi Ramën, zgjedhje nuk ka”, deklaroi Berisha, duke ritheksuar mbështetjen e Partisë Demokratike për listat plotësisht të hapura dhe ndryshimet që, sipas tij, do të garantonin barazi në garën elektorale.
Ai kërkoi gjithashtu që partitë e mëdha të mos ndërhyjnë në votën dhe përfaqësimin e partive të vogla, ndërsa e cilësoi të domosdoshëm krijimin e një institucioni zgjedhor që siguron trajtim të barabartë për të gjitha forcat politike.
“Duhet që partitë e mëdha të mbajnë duart larg votës së partive të vogla. KQZ-ja aktuale është e damkosur në raportet ndërkombëtare. Duhet të krijojmë institucion zgjedhor me të drejta të barabarta”, u shpreh Berisha.
Një tjetër propozim i kreut të PD-së ishte zhvillimi i zgjedhjeve me sistem balotazhi, të cilin e konsideroi si një nga alternativat për garantimin e përfaqësimit dhe legjitimitetit të rezultatit zgjedhor.
Berisha u ndal edhe te fenomeni i shitblerjes së votës, duke kërkuar që në kuadër të reformës zgjedhore të shqyrtohet edhe mundësia e votimit të detyrueshëm për qytetarët.
Sipas tij, ekziston rreziku që zgjedhësve t’u ofrohen para jo për të votuar për një subjekt të caktuar politik, por për të qëndruar në shtëpi dhe për të mos marrë pjesë në votime.
Në përfundim të fjalës së tij, Berisha u bëri thirrje partive opozitare dhe të gjithë qytetarëve që mbështesin votën e lirë të bashkohen kundër qeverisë.
“Ftojmë të gjitha partitë politike opozitare që të bashkohen kundër kësaj qeverie të korruptuar. Kushdo që do të mbrojë votën e lirë të shqiptarëve, të bashkohet”, deklaroi kreu i Partisë Demokratike.