Bursat amerikane rikuperohen ndërsa inflacioni rezulton më i ulët se pritshmëritë

Tregjet financiare amerikane dhanë sinjale rikuperimi të premten, më 13 nëntor, të mbështetura nga stabilizimi i aksioneve të Nvidia dhe publikimi i të dhënave të inflacionit të prodhuesve, që rezultuan pak më të ulëta se pritshmëritë. Megjithatë, shqetësimet për rritjen e normave të interesit nga Rezerva Federale dhe pasiguria gjeopolitike vijojnë të rëndojnë mbi investitorët.
Kontratat e së ardhmes për indeksin Dow Jones Industrial Average u rritën me 226 pikë, ose 0.4%, ndërsa ato për S&P 500 fituan 0.4%. Nasdaq-100 shënoi një rritje më të kufizuar, prej 0.1%.
Sipas të dhënave të publikuara të premten, indeksi i çmimeve të prodhimit (PPI) në SHBA, i njohur ndryshe si inflacioni i prodhuesve, u rrit me 0.3% në tetor, kundrejt pritshmërisë prej 0.4%. Megjithatë, në krahasim me një vit më parë, çmimet e prodhimit janë rritur me 6.5%, niveli më i lartë vjetor që nga nëntori 2022.
Inflacioni i lartë po forcon pritshmëritë se Rezerva Federale do të rrisë sërish normat e interesit në dhjetor. Sipas instrumentit FedWatch të CME Group, tregjet vlerësojnë me probabilitet 100% një rritje në mbledhjen e 9 dhjetorit. Mundësia e një rritjeje me 0.25 pikë përqindjeje vlerësohet rreth 87%, ndërsa ajo me 0.5 pikë përqindjeje, rreth 13%.
Chris Zaccarelli, drejtor investimesh në Northlight Asset Management, vlerëson se përmirësimi i lehtë i inflacionit të prodhuesve nuk pritet të ndryshojë qëndrimin e Fed, pasi inflacioni i konsumatorëve mbetet mbi nivelet e pranueshme.
Nvidia rikuperohet pas tronditjes nga largimi i drejtuesit
Aksionet e Nvidia u rritën me më shumë se 2% në tregtimin para hapjes së bursës, pas rënies mbi 4% një ditë më parë. Kompania u përball me një krizë drejtimi pas dorëheqjes së themeluesit dhe drejtorit ekzekutiv Jensen Huang, në vijim të raportimeve për marrëdhënie personale që ngritën shqetësime për qeverisjen e kompanisë dhe sigurinë.
Sipas CNBC, analistët paralajmëruan se largimi i Huang mund të shkaktojë një korrigjim deri në 20% të vlerës së aksioneve. Drejtimin e përkohshëm të kompanisë e ka marrë drejtoresha financiare Colette Kress, ndërsa bordi po kërkon një drejtues të ri.
Luhatjet prekën edhe kompani të tjera teknologjike. Aksionet e Microsoft ranë pas problemeve të gjera teknike që ndërprenë shërbimet Outlook dhe Teams. Ndërkohë, Cerebras u rrit me 16%, pas rezultateve financiare më të mira se pritshmëritë.
Nafta dhe normat e interesit shtojnë presionin
Tensionet mes SHBA-së dhe Iranit kanë ndikuar gjithashtu në tregjet financiare. Deklarata e Presidentit Donald Trump se Uashingtonit nuk i nevojitet një marrëveshje me Iranin shtoi shqetësimet për zgjatjen e konfliktit dhe ndikimin mbi furnizimin me energji.
Nafta amerikane WTI tregtohej mbi 88 dollarë për fuçi, ndërsa Brent mbi 96 dollarë.
Në tregun e obligacioneve, yield-i i titujve dhjetëvjeçarë të Thesarit amerikan arriti në 5.14%, duke reflektuar pritshmëritë për një politikë monetare më shtrënguese. Rritja e yield-eve ndikon drejtpërdrejt në kostot e financimit për familjet dhe bizneset.
Ndërkohë, Bitcoin ra nën 70 mijë dollarë për herë të parë që nga gushti, duke iu afruar javës së gjashtë radhazi me humbje.
Pavarësisht turbulencave, indekset kryesore amerikane pritet ta mbyllin javën në rritje. Nasdaq ka fituar 3.2%, S&P 500 rreth 2.9% dhe Dow Jones pothuajse 2%, duke u drejtuar drejt performancës më të mirë javore që nga fillimi i gushtit.
Në Europë, indeksi Stoxx 600 shënoi rënie, ndërsa aksionet e kompanive teknologjike dhe të prodhuesve të gjysmëpërçuesve mbetën nën presion. Edhe tregjet aziatike e mbyllën kryesisht në territor negativ, me përjashtim të Japonisë, ku Nikkei 225 u rrit me 0.53%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









