Paga mesatare afro 660 euro, tregtia dominon ekonominë e Kosovës me mbi gjysmën e qarkullimit
Tregtia vazhdon të dominojë ekonominë e Kosovës, duke gjeneruar 51.7 për qind të qarkullimit të përgjithshëm të ndërmarrjeve gjatë një viti.
Tregtia vazhdon të jetë sektori me peshën më të madhe në ekonominë e Kosovës, si për nga numri i ndërmarrjeve aktive dhe të punësuarve, ashtu edhe për nga qarkullimi i realizuar gjatë vitit 2025.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), të publikuara përmes Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve, tregojnë se tregtia me shumicë dhe pakicë, së bashku me riparimin e automjeteve dhe motoçikletave, ka realizuar rreth 51.7 për qind të qarkullimit të përgjithshëm të ndërmarrjeve të përfshira në këtë hulumtim.
Në anën tjetër, xehetaria dhe gurëthyesit kanë pasur pjesëmarrjen më të vogël në qarkullimin e përgjithshëm, me rreth 0.7 për qind, ndërsa sektori i furnizimit me ujë, kanalizimit, menaxhimit të mbeturinave dhe aktiviteteve të revitalizimit të tokës ka kontribuar me vetëm 0.6 për qind.
Sipas ASK-së, gjatë vitit 2025 në sektorët ekonomikë të përfshirë në hulumtim kanë qenë aktive gjithsej 48 mijë e 506 ndërmarrje. Megjithatë, ky numër ka shënuar rënie prej 4 për qind krahasuar me vitin 2024.
Pavarësisht rënies së numrit të ndërmarrjeve aktive, qarkullimi i realizuar prej tyre ka shënuar rritje. Sipas të dhënave të ASK-së, qarkullimi i përgjithshëm në vitin 2025 ishte 6.1 për qind më i lartë krahasuar me vitin paraprak.
Rritja më e madhe e qarkullimit sipas sektorëve ekonomikë është regjistruar te shërbimet e tjera, me 13.9 për qind. Ndërkohë, shpenzimet e ndërmarrjeve janë rritur për 6.6 për qind gjatë së njëjtës periudhë.
Tregtia prin edhe për nga numri i bizneseve dhe të punësuarve
Përveç qarkullimit, tregtia ka pjesëmarrjen më të madhe edhe në numrin e ndërmarrjeve aktive në Kosovë.
Nga gjithsej 48 mijë e 506 ndërmarrje të përfshira në hulumtim, 33.7 për qind i përkasin sektorit të tregtisë me shumicë dhe pakicë, përfshirë riparimin e automjeteve dhe motoçikletave.
Pas tregtisë renditen aktivitetet e shërbimeve të tjera, të cilat përbëjnë 22.1 për qind të ndërmarrjeve aktive. Prodhimi përfaqëson 14.6 për qind, ndërtimtaria 11.2 për qind, ndërsa akomodimi dhe shërbimet me ushqim 10.3 për qind.
Ndërkaq, sektori i informacionit dhe komunikimit përbën 4.2 për qind të ndërmarrjeve të përfshira në këtë statistikë.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se tregtia është sektori që punëson numrin më të madh të punëtorëve në vend.
Nga gjithsej 294 mijë e 254 të punësuar në sektorët ekonomikë të përfshirë në anketë, 32.4 për qind janë të angazhuar në tregti.
Prodhimi zë vendin e dytë me 17.8 për qind të të punësuarve, i pasuar nga aktivitetet e shërbimeve të tjera me 15.4 për qind dhe ndërtimtaria me 10 për qind.
Në nivel të përgjithshëm, numri i të punësuarve në sektorët e përfshirë në anketë është rritur për 0.4 për qind gjatë vitit 2025. Megjithatë, ndërtimtaria ka regjistruar rënie prej 11.1 për qind të numrit të të punësuarve.
Paga mesatare bruto arrin në 658 euro
ASK ka publikuar edhe të dhënat për pagat mesatare në sektorët ekonomikë, ku vërehet se paga mesatare bruto ka shënuar rritje të vazhdueshme gjatë dekadës së fundit.
Sipas këtij hulumtimi, paga mesatare bruto, e cila në vitin 2015 ishte 354 euro, në vitin 2025 ka arritur në 658 euro.
Pagat më të larta mesatare janë regjistruar në sektorin e furnizimit me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar. Në anën tjetër, pagat më të ulëta mesatare janë regjistruar në sektorin e akomodimit dhe aktiviteteve të shërbimeve me ushqim.
Ndërkohë, paga mesatare në totalin e sektorëve të përfshirë në hulumtim ka shënuar rritje prej 11.1 për qind gjatë vitit 2025, krahasuar me vitin paraprak.
Rritet qarkullimi, por bie numri i ndërmarrjeve aktive
Në përmbledhjen e rezultateve për vitin 2025, ASK evidenton një zhvillim të dyanshëm të sektorit të ndërmarrjeve në Kosovë: nga njëra anë, numri i bizneseve aktive ka rënë, ndërsa nga ana tjetër qarkullimi, pagat dhe shpenzimet e tyre kanë shënuar rritje.
Një rritje e veçantë është regjistruar në sektorin e furnizimit me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar, ku numri i ndërmarrjeve aktive është rritur për 30.1 për qind krahasuar me vitin 2024.
ASK sqaron se statistikat e publikuara përfshijnë vetëm ndërmarrjet dhe sektorët e mbuluar nga Anketa Strukturore e Ndërmarrjeve. Në këtë hulumtim nuk përfshihen bujqësia, pylltaria, peshkimi, aktivitetet financiare, arsimi, shëndetësia, administrata publike dhe disa aktivitete të tjera.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









