Një 47-vjeçar nga Kosova po përballet me akuza të rënda në Austri, pasi dyshohet se ka vrarë në mënyrë brutale ish-bashkëshorten e tij 38-vjeçare. Sipas hetimeve, shqiptari fillimisht ka qëlluar tri herë me pistoletë në drejtim të saj dhe më pas e ka goditur rreth 40 herë me kaçavidë.
Ngjarja e rëndë është regjistruar më 5 prill 2026, ditën e Pashkëve, në qytetin e Sooß, në rajonin e Badenit.
Sipas prokurorisë, 47-vjeçari kishte shkuar në banesën e ish-bashkëshortes me pretendimin se do t’i çonte dhurata për festën e Pashkëve. Pas një debati mes tyre, ai dyshohet se ka nxjerrë armën dhe e ka qëlluar gruan në krah, qafë dhe fytyrë. Më pas e ka sulmuar me kaçavidë, duke i shkaktuar plagë që rezultuan fatale.
Çifti kishte qenë i martuar për 19 vite dhe kishte katër fëmijë. Marrëdhënia mes tyre ishte përkeqësuar prej kohësh, ndërsa në vitin 2019, 47-vjeçari dyshohet se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes. Pas këtij episodi, gruaja ishte larguar prej tij dhe ishte vendosur së bashku me fëmijët në Sooß.
Prokuroria pretendon se burri nuk e kishte pranuar ndarjen dhe vazhdonte të kërkonte kontakte me ish-bashkëshorten. Gjithashtu, ai dyshohet se kishte shprehur bindjen se gruaja ishte nën ndikimin e magjisë së zezë dhe se kjo po ndikonte edhe te fëmijët e tyre.
Hetimet kanë zbuluar se arma e përdorur në krim ishte siguruar disa muaj më herët. Bëhet fjalë për një pistoletë të markës Beretta, modeli 1934, të cilën i dyshuari dyshohet se e kishte blerë për 900 euro, së bashku me tre fishekë, nga një 45-vjeçar.
Ky i fundit akuzohet se kishte dijeni për planin e vrasjes, pasi shqiptari dyshohet se i kishte treguar qëllimin e tij. Megjithatë, ai kishte pranuar t’ia shiste armën. Pas blerjes, pistoleta ishte fshehur pranë stacionit të trenit në Sooß, ku kishte qëndruar deri ditën e ngjarjes.
Më 12 nëntor, 47-vjeçari u paraqit përpara Gjykatës së Wiener Neustadt për t’u përballur me akuzat. Sipas mediave austriake, ai mbërriti në sallën e gjyqit me pranga në duar, i shoqëruar nga efektivët dhe me fytyrën pjesërisht të mbuluar nga një buzëqeshje.
