Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sala Jashari, ka propozuar një rezolutë në Kuvendin e Kosovës, përmes së cilës kërkohet ndërmarrja e masave urgjente për sigurimin e furnizimit të pandërprerë me barna esenciale për pacientët onkologjikë.
Rezoluta parasheh që Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) të ndërmarrin masa për parandalimin e ndërprerjes së terapive për shkak të mungesës së barnave.
Në mesin e kërkesave është që Ministria e Shëndetësisë, brenda 15 ditëve nga miratimi i rezolutës, t’i dorëzojë Kuvendit një raport të plotë për periudhën 1 janar – 22 tetor 2026. Raporti do të përfshinte listën e barnave onkologjike që kanë munguar, kohëzgjatjen e mungesave, numrin e pacientëve të prekur, shkaqet e mungesave dhe statusin e procedurave të prokurimit.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK-ja të ndërmarrin menjëherë të gjitha masat ligjore dhe administrative për garantimin e furnizimit të pandërprerë me barna esenciale për pacientët onkologjikë dhe parandalimin e ndërprerjes së terapive për shkak të mungesës së stokut”, tha Jashari, duke lexuar përmbajtjen e propozimit.
Po ashtu, rezoluta parasheh krijimin e një mekanizmi të paralajmërimit të hershëm dhe përcaktimin e stokut minimal sigurues për barnat kritike onkologjike. Kjo do të mundësonte nisjen e procedurave të furnizimit para se rezervat të arrinin nivelin kritik.
Një tjetër kërkesë është që Ministria e Shëndetësisë, brenda 30 ditëve, ta analizojë bazën ligjore dhe financiare për krijimin e një mekanizmi që do të shqyrtonte mundësinë e rimbursimit të shpenzimeve të dokumentuara të pacientëve të cilët janë detyruar t’i blejnë vetë barnat nga lista esenciale, për shkak të mungesës së tyre në sistemin publik.
Në propozim kërkohet gjithashtu që të evidentohen përgjegjësitë institucionale për dështimet ose vonesat në planifikim, prokurim dhe furnizim me palbociclib, bleomicinë dhe barna të tjera onkologjike që kanë munguar gjatë vitit 2026.
Përveç kësaj, SHSKUK-ja do të duhej të vazhdonte dhe standardizonte publikimin e rregullt të gjendjes së stokut të barnave esenciale në Klinikën e Onkologjisë, përfshirë njoftimet për mungesat e pritshme dhe afatin e parashikuar të furnizimit.
Ndërkaq, Komisioni Parlamentar për Shëndetësi do të monitoronte zbatimin e rezolutës dhe, brenda 60 ditëve, do ta informonte Kuvendin për nivelin e zbatimit të saj.
Megjithatë, rezoluta e propozuar nga PDK-ja nuk u hodh në votim për shkak të mungesës së kuorumit.
Në sallë ishin të pranishëm vetëm 48 deputetë, për çka kryetarja e Kuvendit vendosi që seanca të ndërpritet për pauzë deri në orën 16:30.