Liga e Kombeve rikthehet me një mbrëmje të mbushur me futboll, ku në fushë zbresin përfaqësuese nga Ligat A, B dhe C. Tetë ndeshje janë në kalendar, me disa përballje që premtojnë rivalitet dhe emocione deri në minutat e fundit.
Vëmendja kryesore është përqendruar te sfidat e Ligës A, ku spikasin dy përballje me interes të veçantë. Gjermania do të luajë në transfertë ndaj Serbisë, në Beograd, në një ndeshje që pritet të jetë një test i rëndësishëm për skuadrën e drejtuar nga Pancerat. Në të njëjtën orë, Holanda do të presë Greqinë, me vendasit që kërkojnë të marrin maksimumin përballë një kundërshtari që dallohet për disiplinën dhe organizimin taktik.
Interesante pritet të jenë edhe përballjet e Ligës B. Sllovenia do të sfidojë Zvicrën në një duel ku diferencat mes dy skuadrave mund të jenë të vogla, ndërsa Skocia do të ketë përballë Maqedoninë e Veriut. Skocezët synojnë të shfrytëzojnë faktorin fushë dhe mbështetjen e tifozëve në “Hampden Park”.
Edhe Liga C premton një program të ngjeshur, me katër takime në kalendar. Moldavia dhe Kazakistani do të zbresin në fushë në orën 18:00, ndërsa tre përballjet e tjera do të luhen në orën 20:45. Në këtë fashë orare janë programuar Sllovaki–Ishujt Faroe, Bullgari–Islandë dhe Luksemburg–Estoni.

