Një prodhues birre në qarkun e Korçës është ndëshkuar me detyrime dhe penalitete në vlerën 20.3 milionë lekë, pasi gjatë një kontrolli doganor u konstatuan mijëra litra birrë dhe pulla fiskale mangët, për të cilat nuk ishte paguar akciza.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave njofton se kontrolli u zhvillua në një magazinë fiskale të autorizuar për prodhimin e birrës, ku u zbuluan 63 533 litra birrë mangët, me detyrime të papaguara akcize mbi 2.6 milionë lekë. Për këtë shkelje u përllogarit edhe një penalitet prej rreth 7.9 milionë lekësh, sa trefishi i detyrimit.

Gjithashtu, doganierët konstatuan mungesë të pullave fiskale që korrespondojnë me 58 812 litra birrë të tjera. Për këtë rast, detyrimi i papaguar arrin mbi 2.4 milionë lekë, ndërsa penaliteti është 7.3 milionë lekë.

Në total, detyrimet e papaguara dhe penalitetet e përllogaritura arrijnë në 20.3 milionë lekë.

Doganat bëjnë të ditur se do të vijojnë procedurat administrative ndaj prodhuesit, ndërsa kontrollet në bizneset që tregtojnë produkte me akcizë do të vazhdojnë për të evidentuar shkeljet dhe për të luftuar evazionin fiskal.