“Lista të hapura”, Berisha: Qeveri teknike dhe votim i detyrueshëm për qytetarët
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar qëndrimet e opozitës për Reformën Zgjedhore, duke kërkuar lista 100% të hapura, barazi mes pozitës dhe opozitës në vendimmarrjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe votim të detyrueshëm për qytetarët.
Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së, Berisha u shpreh se listat e hapura janë një mekanizëm demokratik dhe një mundësi për bashkimin e faktorëve opozitarë kundër qeverisë së Edi Ramës.
Berisha: Lista e hapur. Do dëgjoni ju në darkë se si do t’i përgjigjet mafia e votës së lirë. Se si do t’i mohojë këto. Ne jemi për listë të hapur të partive dhe asnjë votë partitë e tjera të mos marrin nga asnjë parti. E bëjmë këtë sepse është demokratike, por edhe sepse ne jemi për bashkimin e të gjithë faktorëve opozitarë kundër të keqes më të madhe që e ka emrin Edi Rama.
Ne jemi për vendosjen e barazisë së plotë në vendimmarrje në KQZ, pozitë-opozitë. KQZ aktuale është e damkosur në raportet aktuale, ndaj dhe ne të bashkohemi dhe të krijojmë një institucion zgjedhor me të drejta të barabarta.
Ata që bëjnë avokatinë e farsës elektorale dhe që hanë turpin me bukë, harrojnë që partia në institucionet e vitit 2013 barazoi firmën e kryetarit me të nënkryetarit.
I garantoj dhe njëherë aleatët opozitarë se ne jemi për lista 100% të hapura për këshilltarët bashkiakë.
Berisha tha se krijimi i një qeverie teknike do të ishte në favor të opozitës, ndërsa kërkoi nga të gjitha forcat politike që të mbështesin votimin e detyrueshëm të qytetarëve.
Berisha: Raundi i dytë në prani të qeverisë teknike do të ishte zgjidhja më e mirë, raundi me balotazh. Por në mungesë të qeverisë teknike, ky është një shesh për narkoqeverinë për të vazhduar plaçkitjen. Në rast se krijohet një qeveri teknike, ne e votojmë që nesër. Në rast se nuk krijohet, kjo dëmton opozitën.
Ftoj të gjitha forcat politike opozitare të mbështesin votimin e detyrueshëm të qytetarëve. Vende demokratike kanë venosur detyrimin e çdo qytetari që të votojë, duke përjashtuar mundësinë e blerjes të të drejtës së votës. Se është tjetër vota, tjetër e drejta e votës.




