Kryetari i bashkisë në Turqi krijoi një koleksion me 229 kukulla lodër nga 25 vende të botës

Lodrat që kryetari i Bashkisë së Talasit në Kayseri, Turqi, Mustafa Yalcin, kishte blerë për të gëzuar vajzat e tij, me kalimin e viteve u shndërruan në një koleksion me 229 kukulla nga 25 vende të botës.
Në koleksion, krahas kukullave lodër nga shumë vende, si Polonia, Gjermania, Hungaria, Spanja, Rumania, Brazili dhe Mongolia, gjenden edhe kukulla që paraqesin indigjenët amerikanë.
Koleksioni përbëhet kryesisht nga kukulla prej porcelani, por përfshin edhe kukullën tradicionale prej pëlhure të punuar nga gratë në lagje.
Kryetari i Bashkisë së Talasit, Mustafa Yalçin, tha për Anadolu se 34 vjet më parë, gjatë një udhëtimi në Gjermani, kishte blerë një kukull nuse për vajzën e tij, e cila atëherë ishte një vjeçe.
Kështu, sipas tij, nisi njohja e familjes me kukullat lodër.
Duke theksuar se kukulla vajzë simbolizon pafajësinë, pastërtinë, sinqeritetin dhe dashurinë, ai tha se interesimi i tyre për këto lodra u shtua me ardhjen në jetë të vajzës së dytë dhe se nisën t'u blinin vajzave kukulla të ndryshme.
Ai theksoi se me kalimin e viteve lodrat u shndërruan në një koleksion.
"Deri më tani kemi mbledhur 229 kukulla nga 25 vende. Në shtëpi kam përgatitur një hapësirë të veçantë për to, me rafte dhe vitrina. Gjithashtu, kujdesin për to e bëj vetë", tha ai. /AA/




































