Biznesmeni shqiptar Dorian Duçka ka zhvilluar një vizitë në Abu Dhabi, ku është pritur në pallatin e Sheikut Nahayan Mabarak Al Nahyan, Ministër i Tolerancës dhe Bashkëjetesës në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Dorian DuckaLajmin e ka bërë të ditur vetë Duçka përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka publikuar edhe një fotografi nga takimi me sheikun.
Duçka ka treguar se ishte ftuar në një mexhlis, një mbledhje tradicionale, si dhe në një drekë në pallatin e sheikut, duke shprehur mirënjohjen për mikpritjen dhe bisedat e zhvilluara.
“Jam vërtet i nderuar që jam ftuar në një Mexhlis dhe në një drekë në pallatin e Shkëlqesisë së Tij, Sheikut Nahayan Mabarak Al Nahyan, Ministër i Tolerancës dhe Bashkëjetesës i Emirateve të Bashkuara Arabe, në Abu Dhabi. Mirënjohës për mikpritjen e ngrohtë dhe bisedat kuptimplota”, shkruan Duçka.
Në postimin e tij, biznesmeni shqiptar ndalet edhe te rëndësia që po merr Abu Dhabi në diplomacinë ndërkombëtare, duke përmendur bisedimet e fundit mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Një rast i veçantë në një qytet që po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në diplomacinë globale, përfshirë bisedimet e fundit midis Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara. Një kujtesë në kohën e duhur për rolin e rëndësishëm që vendet e Gjirit luajnë në promovimin e tolerancës, dialogut dhe pajtimit, duke ndërtuar ura në një botë gjithnjë e më të përçarë”, shprehet ai.
