Një histori emocionuese shprese vjen nga Hjustoni i Teksasit, ku një vajzë vetëm tre vjeçe ka arritur të mposhtë kancerin pas një beteje të vështirë me sëmundjen. Për të festuar shërimin e saj, stafi i spitalit u mblodh në një ceremoni të veçantë, duke e shoqëruar vogëlushen me duartrokitje teksa ajo i binte kambanës që simbolizon përfundimin e trajtimit.
Josey Linsalata u diagnostikua me tumor Wilms, një nga format më të zakonshme të kancerit të veshkave tek fëmijët e vegjël. Gjithçka nisi në muajin maj, kur prindërit e dërguan te pediatri, pasi motra e saj ishte prekur nga mononukleoza. Vogëlushja kishte temperaturë dhe ankohej për dhimbje barku. Pas kryerjes së analizave dhe ekzaminimeve të gjakut, mjekët zbuluan se bëhej fjalë për një tumor Wilms dhe jo për mononukleozë. Menjëherë pas diagnostikimit, Josey iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe shtatë raundeve të kimioterapisë.
Pas muajsh trajtimesh dhe një beteje të vështirë, vogëlushja ka përfunduar zyrtarisht terapinë. E rrethuar nga familjarët, miqtë dhe ekipi mjekësor që e shoqëroi gjatë gjithë kësaj periudhe, Josey vrapoi e lumtur drejt kambanës dhe i ra asaj, duke shënuar fundin e një kapitulli të vështirë të jetës së saj.
Spitali publikoi pamjet prekëse të ceremonisë, ndërsa i gjithë stafi u ngrit në këmbë për ta duartrokitur dhe për të festuar fitoren e saj. “Ky udhëtim tani ka përfunduar. E rrethuar nga familja, miqtë dhe ekipi i kujdesit, Josey trevjeçare ra kambanën për të sinjalizuar se kishte përfunduar zyrtarisht trajtimin e saj”, thuhet në reagimin e spitalit. Në fund, stafi i uroi vogëlushes dhe familjes së saj gjithë të mirat, teksa Josey nis një kapitull të ri, këtë herë larg spitaleve dhe trajtimeve, me shpresën për një jetë të shëndetshme.
Heartwarming footage shows the moment hospital staff cheered on a three-year-old girl as she rang a celebratory bell to signal that she is cancer free after surgery and several rounds of chemotherapy in Houston, Texas. https://t.co/YUXZpAGy9a
— ABC News (@ABC) November 12, 2026
