Dhjetë organizata ndërkombëtare dhe rajonale për lirinë e medias i bënë thirrje të premten autoriteteve shqiptare që të tregojnë rezultatet e hetimit për djegien e makinës së gazetarit Sami Curri, duke theksuar se gjashtë muaj pas ngjarjes çështja mbetet pa përgjigje.
Në një deklaratë të përbashkët, organizatat e lirisë së medias, përfshirë Federatën Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Institutin Ndërkombëtar të Shtypit (IPI), rrjetin SafeJournalists dhe Asociacionin e Gazetarëve të Shqipërisë, ngritën alarmin mbi zvarritjen e procedurave nga organet ligjzbatuese dhe pasojat që kjo ka.
“Ne, organizatat nënshkruese të angazhuara për lirinë e medias dhe të gazetarëve, shprehim shqetësim serioz për mungesën e qartësisë dhe të përparimit të prekshëm në hetimin mbi djegien e dyshuar të qëllimshme të makinës së gazetarit Sami Curri në Bulqizë, Shqipëri, më 26 prill 2026,” thuhet në deklaratë.
“Më shumë se gjashtë muaj më vonë, pyetjet thelbësore lidhur me gjetjet e ekspertizës, ecurinë e hetimeve dhe llogaridhënien mbeten pa përgjigje,” shtohet më tej.
Më 4 maj, gjatë një diskutimi institucional, përfaqësues të Policisë së Shtetit dhe të Prokurorisë së Dibrës u angazhuan për hetimin e rastit. Sipas deklaratës së organizatave, në një përgjigje zyrtare më 28 korrik 2026, Prokuroria e Dibrës konfirmoi se kishte regjistruar procedimin penal dhe se lidhja e mundshme me punën e tij si gazetar ishte mes pistave hetimore. Megjithatë, në atë kohë, ekspertiza piroteknike e nevojshme për të përcaktuar shkakun e zjarrit nuk kishte përfunduar ende.
Më 5 nëntor, Curri dorëzoi një tjetër kërkesë me shkrim për të mësuar rezultatet e ekspertizës, informacion mbi ecurinë e hetimeve dhe kthimin e mjetit të tij, i cili vijon të mbahet i sekuestruar. Deri më tani, ai nuk ka marrë asnjë konfirmim mbi gjetjet shkencore apo ndonjë përditësim domethënës mbi hetimin.
“Ne i bëjmë thirrje Prokurorisë së Dibrës dhe Policisë së Shtetit që të sqarojnë statusin e ekspertizës ligjore, t’i ofrojnë gazetarit informacion domethënës mbi ecurinë e hetimeve, të adresojnë mbajtjen e vazhdueshme të automjetit të tij dhe të sigurojnë që lidhja e mundshme me raportimet e tij të hetohet plotësisht,” theksojnë organizatat, duke kërkuar që hetimi të shkojë deri në identifikimin dhe mbajtjen përgjegjës të autorëve dhe çdo individi që mund të ketë urdhëruar aktin.
Sipas organizatave të lirisë së medias, pasiguria e zgjatur ngre pikëpyetje më të gjera mbi efektivitetin e mekanizmave të sigurisë për gazetarët në Shqipëri.
“Kur një sulm i dyshuar mund të lidhet me punën gazetareske, autoritetet kanë detyrimin për ta hetuar atë mundësi në mënyrë efektive. Dështimi për ta bërë këtë rrezikon të përforcojë pandëshkueshmërinë dhe të krijojë një efekt frikësues mbi gazetarinë e pavarur, veçanërisht në nivel lokal,” paralajmërohet në deklaratë.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të 26 prillit 2026, rreth orës 02:58, kur automjeti tip “Ford Fiesta” në pronësi të Currit u përfshi nga flakët ndërsa ishte i parkuar rreth 30 metra larg pallatit ku ai banon në Bulqizë. Zjarri nuk shkaktoi dëme në mjetet e tjera pranë, ndërsa policia e Dibrës njoftoi menjëherë pas ngjarjes se paraprakisht dyshohej për zjarrvënie të qëllimshme.
Me rreth një dekadë përvojë në gazetari, Curri ka bashkëpunuar me BIRN dhe drejton median lokale Bulqiza Ime, duke raportuar vazhdimisht mbi keqpërdorimin e dyshuar të fondeve publike, qeverisjen vendore, mjedisin dhe çështje të tjera me interes publik në qarkun e Dibrës.
Menjëherë pas sulmit në prill, Curri e lidhi zjarrvënien drejtpërdrejt me punën e tij profesionale, duke e cilësuar si një mesazh të qëllimshëm për ta frikësuar, por theksoi se nuk do të tërhiqej nga misioni i tij në shërbim të interesit publik.







