Qarkullonte i armatosur në kryeqytet, arrestohet 30-vjeçari, në pranga edhe shoku që e shoqëronte Një investigim i publikuar nga gazeta italiane “Corriere della Sera” sjell në vëmendje aktivitetin e rrjeteve kriminale shqiptare në trafikun ndërkombëtar të kokainës, duke ndjekur gjurmët e tyre nga Maqedonia e Veriut dhe Italia deri në Dubai.
Në fokus janë disa personazhe të akuzuar për përfshirje në trafikun e drogës, organizimin kriminal dhe pastrimin e parave, të cilët, sipas medias italiane, kanë krijuar lidhje me grupe kriminale në disa vende të Europës.
Artikulli ndalet veçanërisht te klani i Sarajit, në periferi të Shkupit, dhe te figura si Sheval Muaremi, Eneo Carka, i njohur me nofkën “Napoleoni”, dhe Denis Matoshi, i njohur si Eldi Dizdari.
Sipas raportimit, këta emra lidhen me rrjete të trafikut të kokainës që shtrihen në Belgjikë, Britaninë e Madhe dhe Itali, ndërsa Dubai përmendet si një destinacion ku disa prej personave të kërkuar apo të akuzuar kanë qëndruar për një kohë të gjatë.
Duke cituar Xhelal Nezirin, drejtues i Institutit Ballkanik për Median dhe Demokracinë në Tetovë, gazeta përcjell edhe një vlerësim mbi ndikimin e krimit të organizuar në Maqedoninë e Veriut: “Çdo shtet e ka mafien e vet, por tek ne shpesh krijohet përshtypja se është mafia ajo që ka një shtet”.
Një pjesë e rëndësishme e investigimit i kushtohet edhe lidhjeve të dyshuara mes trafikantëve shqiptarë dhe organizatave kriminale italiane, veçanërisht ’Ndranghetës, si dhe mënyrës se si rrjetet ndërkombëtare sigurojnë furnizimin dhe shpërndarjen e kokainës.
Artikulli ndalet gjithashtu te ish-bashkëshortja e Denis Matoshit, Suada, ish-Miss Shqipëria dhe personazh i botës së spektaklit, e cila vijon të jetojë në Dubai pas ndarjes nga ai, përpara ekstradimit të tij në Belgjikë.
Sipas autoriteteve belge, ajo zotëron pasuri të paluajtshme në Emiratet e Bashkuara Arabe me vlerë rreth 17 milionë euro. Mediat italiane raportojnë gjithashtu se ajo organizon festa luksoze në Dubai me partnerin e saj të ri, një shtetas arab i pasur. Ndërsa Matoshi u ekstradua në Belgjikë, ish-bashkëshortja e tij mbeti në Emirate.
Shkrimi i plotë i Corriere della Sera:
“Napoleoni”, bosi shqiptar mes trafikut të drogës dhe jetës luksoze në Dubai: trafikanti poliglot me bazë në lagjen Gallaratese të Milanos
Çizmet e shkurtra. Xhinset. Xhaketa e hollë prej lëkure, e vjetruar nga koha. Në pozicion anash, përballë zyrave që nuk janë rinovuar kurrë, ku karriget e thyera ndërrohen me tavolina pune bosh, nën dritën e zbehtë të llambave, policët maqedonas, më shumë sesa targat apo dokumentet e identifikimit, kontrollojnë bagazhet e makinave.
I inspektojnë me dritën e celularëve dhe kërkojnë që njëri pas tjetrit të hapen. Radha ecën ngadalë. Pritja është e gjatë.
Kur bie nata, e përforcuar edhe nga malet përreth, të duket sikur je kthyer sërish në ato vite, në vitet ’70 dhe ’80: një atmosferë spiunësh dhe kundërspiunësh, hijesh të gjata, gjuhësh të pakuptueshme (vendasit ose refuzojnë, ose nuk dinë të flasin anglisht). Me pak fjalë, Lufta e
Ftohtë, përpara shpërbërjes së Jugosllavisë mëmë dhe lëvizjeve për pavarësi.
Kemi mbërritur nga Kosova, ku lojërat e fatit janë të ndaluara. Këtu mjaftojnë disa qindra metra pas doganës dhe tabela e kazinosë “Luxor”, me dritat që vezullojnë, lajmëron ndërtesën e parë në Maqedoninë e Veriut. Në rrethrrotullim, po të vazhdosh drejt, shkon në kryeqytetin Shkup, ndërsa po të kthehesh djathtas, futesh në parkimin e makinave të lojërave elektronike. Të gjithë kthehen djathtas.
Rruga drejt Shkupit është e shkatërruar. Copëza asfalti kërcejnë nën rrotat e makinave. Pastaj shfaqet qyteti dhe, teksa përshkon bulevardet e gjera e të gjata, të krijohet përshtypja sikur je në Torino. Në Maqedoninë e Veriut, ky ishte një domosdoshmëri urbanistike pas tërmetit të vitit 1963, kur tre të katërtat e ndërtesave u shembën dhe rrënojat ishin kudo. Në rrugë nevojiteshin hapësirë dhe rregull.
Shkupi, një qytet i brishtë dhe i përndjekur nga historia, bizantin dhe osman, por jashtëzakonisht i bukur.
Maqedonia e Veriut ka dy milionë banorë, ndërsa kryeqyteti 600 mijë. Është qendra që vë në lëvizje gjithë vendin. Megjithatë, për të kuptuar të dyja, duhet të udhëtosh rreth 45 minuta drejt perëndimit, në Tetovë, ku ndodhet BIRC, Instituti Ballkanik për Median dhe Demokracinë, dhe të dëgjosh presidentin e tij, Xhelal Neziri, një njeri me ndershmëri të guximshme dhe të palëkundur.
“Çdo shtet e ka mafien e vet, por tek ne shpesh krijohet përshtypja se është mafia ajo që ka në pronësi një shtet”.
Me mafie këtu nënkuptohet trafiku i drogës. Dhe, kur flitet për trafikun e drogës, në radhë të parë bëhet fjalë për klanin e Sarajit, një periferi e Shkupit e përbërë nga fshatra të vegjël. Aty sundon një traditë kriminale arkaike, e shoqëruar me një aftësi të jashtëzakonshme për t’i bërë ballë goditjeve, për t’u ripërtërirë vazhdimisht dhe për t’i mbijetuar arrestimeve dhe hetimeve. Sikur kjo sëmundje të ishte bërë tashmë e pamundur për t’u zhdukur.
Njësoj, tamam si fshatrat e kontrolluara nga ’Ndrangheta në Itali.
Figura më e njohur dhe më e frikshme e klanit është Sheval Muaremi, 49 vjeç, mbi të cilin rëndojnë urdhërarreste për vrasje, organizatë kriminale dhe trafikimin e sasive të mëdha të kokainës. Prej dy vitesh jeton në Dubai. Nuk bëhet fjalë për një hamendësim, por për një fakt me të cilin ai vetë mburret, pasi shfaqet në rrjetet sociale nga Emiratet. Këmbëngulja kokëfortë e autoriteteve të Emirateve të Bashkuara Arabe për të refuzuar marrëveshjet dypalëshe dhe për të penguar në praktikë ekstradimet, ka bërë që Muaremi të vazhdojë të jetojë i qetë dhe i pashqetësuar, duke menaxhuar nga distanca bizneset e tij fitimprurëse.
Në këtë aktivitet është i përfshirë vazhdimisht edhe një tjetër personazh i botës kriminale, me origjinë shqiptare, i konsideruar si një rrezik i nivelit të lartë nga hetuesit e disa vendeve, duke nisur nga Italia.
Bëhet fjalë për Eneo Carkën, 44 vjeç, i njohur me disa nofka, mes tyre edhe “Napoleoni”. Ai komunikon zakonisht përmes mjeteve teknologjike shumë të sofistikuara, të cilat kufizojnë mundësitë e përgjimit. Emri i tij është lidhur me transportimin e sasive të mëdha të kokainës në Belgjikë, Mbretërinë e Bashkuar dhe në Liguria të Italisë, konkretisht në La Spezia.
Napoleoni flet shqip, anglisht, italisht dhe spanjisht. Në Milano, siç ka theksuar Drejtoria e Antimafias në Itali, ai mbështetet te një bashkëkombës 46-vjeçar, me banim në rrugën Chiarelli, në lagjen Gallaratese. Ky person është përfshirë si në mbërritjen e “ngarkesave të kokainës”, ashtu edhe në kryerjen e pagesave për të njëjtën drogë.
Napoleoni është i urryer nga një pjesë e vjetër e ’Ndranghetës. Madje, edhe kreu i padiskutueshëm i saj, Rocco Morabito, ka shprehur publikisht bezdinë ndaj klaneve shqiptare, në biseda me bashkëpunëtorët e tij, të përgjuara nga Guardia di Finanza. Por, pavarësisht kësaj, Napoleoni kërkohet nga brezi i ri i mafiozëve, të cilët e dinë se pa të puna bëhet e vështirë.
Ai pretendon se ka kontakte të drejtpërdrejta me Don Usugën, kolumbianin e njohur si Otoniel, dikur kreu i kartelit të Gjirit, një prej emrave më të rëndësishëm në botën e kokainës.
Me Carkën nuk duhet të përplasesh. As të dalësh kundër tij. Kurrë. Dubai e mbron. Dubai i mbron të gjithë.
Dubai ka mbrojtur për një kohë të gjatë, madje e ka trajtuar me privilegje, edhe Denis Matoshin, 37 vjeç, një tjetër shqiptar i akuzuar për trafik droge dhe pastrim parash. Vetëm një muaj më parë, Belgjika, e cila kishte kërkuar ekstradimin e tij, arriti të merrte dorëzimin e tij nga autoritetet e Emirateve.
Në Dubai ka mbetur ish-bashkëshortja e tij, nga e cila ishte ndarë përpara ekstradimit. Bëhet fjalë për Suadën, ish-Miss Shqipëria dhe personazh i botës së spektaklit. Sipas autoriteteve belge, ajo zotëron pasuri të paluajtshme në Emirate me vlerë 17 milionë euro. Atje, thuhet se organizon festa madhështore me partnerin e saj të ri, një arab i pasur.
Top Channel