Një investigim gati njëvjeçar i televizionit britanik Sky News ka zbardhur mekanizmat që dyshohet se përdorin rrjetet kriminale shqiptare për të kontrolluar një pjesë të tregut të kokainës në Britani. Nga rekrutimi i shpërndarësve përmes TikTok-ut, te porositë që mbërrijnë brenda 30 minutash dhe lidhjet e mundshme me trafikimin e emigrantëve, dokumentari hedh dritë mbi mënyrën se si funksionon ky aktivitet kriminal.
Për të depërtuar në këto rrjete, gazetarët e Sky News zhvilluan një investigim nën mbulim, duke infiltruar një reporter në disa prej grupeve që operojnë në qytete si Exeter, Wigan, Derbyshire dhe Royal Tunbridge Wells. Hetimi i çoi gjurmët e tyre edhe në Spanjë dhe Shqipëri.
Një prej episodeve më domethënëse u regjistrua në Exeter, ku një person i identifikuar me emrin “Leo” i ofroi gazetarit të infiltruar akomodim, një listë çmimesh për kokainën dhe mundësinë për të nisur menjëherë punën si shpërndarës droge.
Gjatë një takimi në një kafene, ai i shpjegoi mënyrën e funksionimit të aktivitetit, çmimet dhe uljet që përfitonin klientët që blinin sasi më të mëdha. Ai nuk kishte dijeni se bashkëbiseduesi ishte gazetar dhe se biseda po regjistrohej në fshehtësi.
Një nga mënyrat e rekrutimit që evidenton investigimi është përdorimi i TikTok-ut. Në këtë platformë publikohen njoftime në gjuhën shqipe për vende pune me pagesa të larta. Disa prej tyre paraqiten si oferta për shoferë, ku premtohen edhe karburanti dhe akomodimi, pa u specifikuar qartë se puna lidhet me shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Në një tjetër episod, në qytetin Wigan, gazetarit të infiltruar iu ofruan 280 paund në ditë, në para në dorë, për të shpërndarë kokainë.
Investigimi ndalet edhe te roli i të ashtuquajturve “deal phones”, telefonat përmes të cilëve klientët kryejnë porositë e drogës. Sipas gazetarëve, këta telefona administrohen nga drejtuesit e rrjeteve, të cilët më pas u përcjellin shpërndarësve adresat ku duhet të dorëzohet kokaina dhe të mblidhen paratë.
Për shkak të bazës së klientëve dhe kontakteve të krijuara ndër vite, këta telefona konsiderohen një aset me vlerë të madhe për grupet kriminale. Sky News zbuloi edhe një njoftim në TikTok, ku një telefon i tillë ofrohej për shitje për plot 300 mijë paund.
Për të provuar se sa shpejt funksiononte sistemi, një prej gazetarëve porositi kokainë në Royal Tunbridge Wells. Përgjigjja ishte se droga mund të dorëzohej brenda vetëm 30 minutash.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i investigimit lidhet me dyshimet për bashkëpunimin mes rrjeteve të trafikut të drogës dhe atyre të trafikimit të emigrantëve. Gazetarët identifikuan në TikTok një reklamë në gjuhën shqipe, ku ofrohej transportimi drejt Europës i personave që kishin probleme me autoritetet britanike.
Personi që qëndronte pas njoftimit i propozoi reporterit të infiltruar nxjerrjen e një personi nga Britania me kamion, kundrejt pagesës prej 2,500 paundësh.
Frank Stewart, zyrtar i Agjencisë Kombëtare të Krimit në Britani (NCA), konfirmoi se ekzistojnë lidhje mes disa grupeve shqiptare të përfshira në trafikun e drogës dhe rrjeteve të emigracionit të paligjshëm.
Në dokumentar përfshihet edhe dëshmia e një shqiptari, i cili kishte mbërritur në Britani me gomone në vitin 2022 dhe më pas kishte përfunduar duke punuar në aktivitetin e drogës. Ai pretendoi se familjarët i kishin financuar udhëtimin me kushtin që, pas mbërritjes, të punonte për trafikantët shqiptarë.
Sipas investigimit, një nga arsyet që këto grupe kanë forcuar pozitat në tregun britanik të kokainës janë lidhjet e drejtpërdrejta me furnizuesit në Amerikën e Jugut, duke shmangur ndërmjetësit europianë.
Megjithatë, Sky News thekson se shumica dërrmuese e shqiptarëve që jetojnë në Britani nuk kanë asnjë lidhje me krimin e organizuar.
Dokumentari investigativ mban titullin “The Drug Lords Next Door” dhe është realizuar nga gazetari Chris Matthews, në bashkëpunim me Full Story Films dhe Quicksilver Media.