Shpërthen makina në periferi të Moskës, plagoset rëndë bashkëpunëtori i ish-kryeministrit ukrainas
Një shpërthim me bombë është regjistruar mëngjesin e së premtes në jug të Moskës, ku një automjet ka shpërthyer.
Si pasojë e shpërthimit ka mbetur i plagosur rëndë një bashkëpunëtor i ish-kryeministrit të Ukrainës, Mykola Azarov.
Mediat ruse e kanë identifikuar drejtuesin e automjetit si Sergei Zavorotny, shkrimtar rus dhe ish-punonjës i Dumës Shtetërore të Rusisë. Megjithatë, identiteti dhe gjendja e tij shëndetësore nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.
Sipas raportimeve të mediave ruse, automjeti tip “Toyota Fortuner” shpërtheu pranë një kompleksi banimi, pak pasi ishte larguar nga oborri i një ndërtese.
Informacionet paraprake bëjnë me dije se një pajisje shpërthyese e improvizuar ishte vendosur poshtë sediljes së shoferit dhe u aktivizua pak minuta pasi automjeti nisi lëvizjen. Fuqia e shpërthimit dyshohet se e ka hedhur drejtuesin e makinës në rrugë.
Zavorotny i mbijetoi shpërthimit, por raportohet se ka marrë plagë të rënda. Media ruse Shot njoftoi se ai ka pësuar dëmtime nga copëzat e shpërthimit në kraharor dhe shpinë, si dhe dëmtime të rënda në gjymtyrët e poshtme. Ai është transportuar me urgjencë në spital.
Komiteti Hetimor i Rusisë bëri të ditur se ka nisur procedimin penal për shpërthimin.
Zavorotny kishte punuar më parë në parlamentin rus, përpara se të merrte detyrën e zëdhënësit të ish-kryeministrit ukrainas Mykola Azarov, i cili drejtoi qeverinë e Ukrainës nga viti 2010 deri në vitin 2014.
Ai ka qenë gjithashtu bashkautor i një libri mbi rrëzimin nga pushteti të ish-presidentit ukrainas Viktor Yanukovych dhe humbjen e ndikimit rus në Ukrainë.




