Një ndërprerje e gjerë e shërbimeve të Microsoft ka shkaktuar probleme në të paktën 74 vende të botës, duke prekur miliona përdorues dhe duke paralizuar pjesërisht komunikimin elektronik në institucione dhe kompani të ndryshme. Pas afro 20 orësh ndërprerje, kompania ka konstatuar shenjat e para të stabilizimit, por rikthimi i plotë i shërbimeve ende nuk është realizuar.

Mësohet se problemet kanë prekur kryesisht Outlook dhe Exchange Online, por edhe Teams, Copilot dhe aplikacione të tjera të Microsoft 365. Një nga shqetësimet kryesore lidhet me email-et që nuk kanë mbërritur në destinacion. Për të shmangur humbjen e mesazheve, Microsoft ka zgjatur në 48 orë afatin e riprovimit për dorëzimin e email-eve të vonuara.

Kjo do të thotë se mesazhet mund të mbërrijnë me vonesë edhe pasi shërbimet të rikthehen në normalitet. Ndërprerja ka shkaktuar vështirësi edhe në sektorin bankar, transportin ajror dhe institucionet publike, ndërsa në disa vende kompanitë janë detyruar të përdorin telefonat dhe fakset për komunikimet dhe konfirmimin e transaksioneve.

Microsoft po heton shkaqet e defektit, i cili dyshohet se lidhet me mbingarkesën e serverëve pas nxjerrjes jashtë funksionit të disa prej tyre. Deri tani nuk ka tregues që incidenti të jetë shkaktuar nga një sulm kibernetik. Kompania vijon punën për rikthimin gradual të sistemeve, por ende nuk ka dhënë një afat të saktë se kur të gjitha shërbimet do të funksionojnë normalisht