Një 52-vjeçar malazez ka rënë në prangat e policisë gjatë ditën së sotme në Shkodër. Sipas njoftimit të Policisë, ai ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, dhe akuzohej nga autoritetet malazeze si pjesëtar i një grupi kriminal me veprimtari në fushën e narkotikëve.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit të koduar “Zogaj”, ndërsa mbi të arrestuarin rëndojnë veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Prodhim i lëndëve narkotike”. Sakaq, po vijojnë procedurat për ekstradimin e tij drejt Malit të Zi.
NJOFTIM:
DVP Shkodër
Finalizohet operacioni i koduar “Zogaj”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
I akuzuar nga autoritetet malazeze, si pjesëtar i një grupi kriminal me veprimtari në fushën e narkotikëve, kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 52-vjeçari.
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Shkodër, si rezultat i kontrolleve për kapjen e shtetasve në kërkim, kanë finalizuar operacionin e koduar “Zogaj”. Gjatë këtij operacioni, u kap në fshatin Zogaj, në afërsi të kufirit me Malin e Zi, dhe u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimin në këtë shtet, shtetasi malazez:
-A. S., 52 vjeç, banues në Podgoricë, Mal i Zi.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Podgorica, pasi Gjykata e Podgoricës, me vendimin e datës 27.11.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”. Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet e Malit të Zi, vijon procedurat për ekstradimin e 52-vjeçarit.
