I shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohet në Shkodër 52-vjeçari pjesë e organizatës kriminale, pritet ekstradimi drejt Malit të Zi
Një 52-vjeçar nga Mali i Zi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për pjesëmarrje në një organizatë kriminale dhe veprimtari në fushën e narkotikëve, është arrestuar në Shkodër me qëllim ekstradimin drejt vendit të tij.
Policia e Shkodrës bën me dije se arrestimi u realizua në kuadër të operacionit të koduar “Zogaj”, nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”. 52-vjeçari Aleksandar Sekulic, banues në Podgoricë, u lokalizua dhe u kap në fshatin Zogaj, pranë kufirit me Malin e Zi.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Podgorica, pasi Gjykata e Podgoricës, me vendim të datës 27 nëntor 2023, kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Autoritetet malazeze e akuzojnë për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, ndërsa dyshohet se ishte pjesëtar i një grupi kriminal që ushtronte aktivitet në këtë fushë.
Pas arrestimit të tij të përkohshëm, Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet e Malit të Zi, po vijon procedurat ligjore për ekstradimin e 52-vjeçarit drejt vendit ku kërkohet nga drejtësia.




