Një çift komedianësh në Toronto të Kanadasë është përfshirë në një mosmarrëveshje të pazakontë me pronarin e banesës, duke pretenduar se po përballet me dëbim për shkak të gazrave të tepërta trupore. S.E. Grummett dhe Sam Kruger, të njohur si dyshja komike “Creepy Boys”, kanë nisur një fushatë për mbledhjen e fondeve për të mbuluar shpenzimet ligjore të çështjes.

Sipas tyre, konflikti nisi në dhjetor të vitit 2025, kur pronari, i cili jeton në katin e sipërm të ndërtesës, vuri re nivele të pazakonta të disa substancave potencialisht të dëmshme në një pajisje për monitorimin e cilësisë së ajrit. Dy apartamentet ndajnë të njëjtin sistem ventilimi, ndërsa pronari, i diagnostikuar së fundmi me një problem në mushkëri, dyshonte se çifti pinte duhan brenda banesës.

Grummett dhe Kruger i mohojnë akuzat. Ata pretendojnë se provuan të ndryshonin zakonet e përditshme, duke shmangur gatimin dhe madje duke bërë dush në ambiente të tjera, por matjet e pajisjes vijuan të regjistronin nivele të larta. Pas kërkimeve të tyre, çifti ngriti mundësinë që pajisja të reagonte ndaj funksioneve normale trupore, përfshirë frymëmarrjen dhe çlirimin e gazrave.

“Po na dëbojnë padrejtësisht sepse lëshojmë shumë gazra. Vërtet. Nuk është shaka. Do të donim të ishte”, shkruan ata në platformën GoFundMe. Megjithatë, sipas çiftit, pronari vazhdoi të dyshonte për pirje duhani në apartament dhe më pas u dërgoi një njoftim dëbimi, duke argumentuar se dëshironte ta përdorte personalisht banesën. Dy komedianët besojnë se ky justifikim nuk është bërë në mirëbesim dhe kanë vendosur ta kundërshtojnë ligjërisht. Çështja ka përfunduar për shqyrtim në Bordin e Qiradhënësve dhe Qiramarrësve të Ontarios, ku vendimi mbetet ende në pritje.