Përmbytjet godasin Thethin, rrezikohen banesat dhe dëmtohen bagëtitë
Reshjet intensive të shiut kanë sjellë përkeqësim të situatës në zonën turistike të Thethit, ku prurjet e shumta të ujit kanë shkaktuar përmbytje dhe probleme për banorët. Situata problematike ka nisur që prej mbrëmjes së kaluar, ndërsa shqetësimet më të mëdha raportohen në Fushë-Theth.
Në këtë zonë, sasia e madhe e ujit ka tejkaluar kapacitetet e kanaleve kulluese, duke dalë nga shtrati dhe duke u përhapur pranë banesave. Vërshimet kanë krijuar rrezik për pronat dhe kanë vështirësuar situatën për familjet që jetojnë në këtë zonë.
Përveç problemeve me përmbytjet, raportohen edhe dëme në bagëti. Mes rasteve të evidentuara është edhe banesa e Dedë Drenit, ku përmbytjet kanë shkaktuar pasoja në blegtorinë e familjes.
Situatën e bën edhe më të vështirë ndërprerja e energjisë elektrike, e cila po rëndon kushtet për banorët, në një kohë kur zona po përballet me reshje të dendura dhe prurje të shtuara ujore.
Banorët mbeten të shqetësuar për zhvillimin e mëtejshëm të situatës, ndërsa vijimi i reshjeve mund të shtojë rrezikun e përmbytjeve dhe dëmet në zonën e Thethit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



