Në një artikull të publikuar më 12 nëntor, media franceze NVO shkruan se vala e protestave në Shqipëri po merr përmasa të reja, ndërsa studentët janë bërë pjesë e rëndësishme e lëvizjes kundër qeverisë së Edi Ramës. Përveç kundërshtimit ndaj projekteve të mëdha turistike, protestuesit kërkojnë më shumë demokraci, kushte më të mira në universitete dhe përgjegjësi për korrupsionin.
Protestat në Shqipëri vijojnë prej muajsh dhe, sipas një analize të publikuar nga media franceze NVO, lëvizja qytetare po merr një dimension gjithnjë e më të gjerë, duke bashkuar aktivistët mjedisorë, studentët dhe qytetarët e pakënaqur me qeverisjen.
Në artikullin e gazetarit Pierre Wasserman, të publikuar më 12 nëntor 2026, theksohet se protesta nisi në fund të majit kundër një projekti të madh zhvillimi turistik, të lidhur me Jared Kushner dhe Ivanka Trump, që parashikon ndërhyrje në ishullin e Sazanit dhe në zonën e Zvërnecit.
Por lëvizja mori një tjetër dimension në tetor, me rikthimin e studentëve në universitete. Pakënaqësitë e tyre për kushtet e studimit, kostot ekonomike, mungesën e infrastrukturës universitare dhe emigrimin u bashkuan me kërkesat e protestuesve që prej muajsh kundërshtonin projektet e zhvillimit dhe qeverisjen e vendit.
Një nga zërat e cituar në artikull është Hana Spahia, 22 vjeçe, studente e shkencave politike, e cila shprehet se dhuna policore nuk do të arrijë ta ndalë lëvizjen.
Ajo thekson se protestat kanë kaluar nëpër faza të ndryshme, por se pakënaqësia në shoqërinë shqiptare është e thellë dhe kërkesa për më shumë demokraci po bashkon grupe të ndryshme qytetarësh.
Duke folur për qeverinë e Edi Ramës, Spahia shprehet: “Është e pamundur të negociosh me këtë qeveri”.
Artikulli citon gjithashtu përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët deklarojnë se qeveria nuk po merr parasysh kërkesat e protestuesve dhe se reagimi policor ka qenë i dhunshëm në disa raste.
Një tjetër element i rëndësishëm i protestës është gjendja ekonomike e të rinjve.
Kristi Gjoni, 20 vjeç, student i informatikës, i thotë medias franceze se lëvizja u zgjerua në mënyrë spontane pas rikthimit të studentëve në Tiranë.
Ai ngre shqetësimin për mungesën e laboratorëve, kompjuterëve dhe programeve bashkëkohore në universitet, ndërsa thekson se familjet po përballen me vështirësi për të mbuluar shpenzimet e jetesës dhe studimeve.
Sipas artikullit, studentët kërkojnë kushte minimale dhe cilësi më të mirë të arsimit publik, duke e konsideruar situatën aktuale të papranueshme.
NVO i kushton vëmendje edhe emigrimit të të rinjve shqiptarë. Duke iu referuar të dhënave të Eurostat, artikulli shkruan se 62 për qind e 44 mijë shqiptarëve që emigruan në vitin 2024 ishin nën moshën 35 vjeç.
Mungesa e vendeve të punës, pagat e ulëta, kostot e jetesës dhe mungesa e perspektivës përmenden si disa prej arsyeve kryesore që i shtyjnë të rinjtë të largohen.
Sipas medias franceze, protestat po shndërrohen në një lëvizje më të gjerë, ku kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama ndërthuret me kërkesën për ndryshime strukturore në sistemin politik dhe institucional.
Artikulli vë në dukje se reagimi i ashpër policor dhe masat e reja të sigurisë nuk kanë arritur ta shuajnë mobilizimin.
Në përfundim, mesazhi që përcjellin të rinjtë e intervistuar është se kërkojnë të kenë më shumë ndikim në vendimmarrjen për të ardhmen e tyre dhe të vendit.
“Ne duam të rimarrim kontrollin mbi vendin dhe të ndërtojmë të ardhmen”, është mesazhi përmbyllës i studentit Kristi Gjoni, i cituar nga NVO.
© SYRI.net
Mediat e huaja: Drejtuesja e re e SHISH është aset i Romës, ka marrë pagesa shtetërore nga Italia
AL JAZEERA: NATO nuk do mbajë samit në Shqipëri, ndërsa Rama po përballet me kritika dhe protesta
Letra drejtuar GJKKO për prova të reja nga SHBA, Meta: Procesi të zhvillohet me transparencë dhe respektim të ligjit