Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Tiranës drejtoreshën e Përgjithshme të Burgjeve, Sadleva Bodo.
Sipas Veliajt ajo ka shpërdoruar detyrën duke e transferuar në mënyrë të paligjshme nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit.
Veliaj pretendon se transferimi i tij është kryer në shkelje të ligjit, duke kërkuar hetimin e përgjegjësisë së drejtueses së sistemit penitenciar për këtë vendim.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u transferua nga Durrësi në Fier më 28 tetor.
Avokati i tij, Plarent Ndreca, kishte deklaruar se ishte vënë në dijeni për transferimin, por se nuk i ishin komunikuar arsyet e këtij vendimi, pavarësisht kërkesës zyrtare për sqarime.
Pas transferimit, Veliaj reagoi edhe në rrjetet sociale, duke e cilësuar lëvizjen si një akt pa transparencë dhe si “rrëmbim policor”. Ai kërkoi ndërhyrjen e institucioneve përkatëse për të verifikuar shkaqet e transferimit, të cilin e konsideroi politik.
Veliaj qëndronte në paraburgimin e Durrësit që prej shkurtit të vitit 2025, kur u arrestua në kuadër të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).













