Vendosni fjalën kyçe....

Hakerët e Koresë së Veriut vjedhin mbi 400 milionë dollarë përmes videothirrjeve të rreme


Hakerët e mbështetur nga shteti i Koresë së Veriut kanë përvetësuar më shumë se 400 milionë dollarë në kriptomonedha, duke përdorur videothirrje të rreme për të vjedhur identitetin e njerëzve, bëjnë të ditur autoritetet amerikane.

Sipas FBI-së, gjatë 18 muajve të fundit, më shumë se 900 persona kanë rënë pre e kësaj skeme mashtrimi, të cilën agjencia e ka emërtuar “FaceStealer”.

“Regjimi i Koresë së Veriut mbështetet te të ardhurat nga vjedhjet në shkallë të gjerë të kriptomonedhave për të financuar programin e tij të paligjshëm të armëve. Vitet e fundit, ai ka përvetësuar miliarda dollarë në këtë mënyrë”, deklaron Brett Leatherman, drejtues i departamentit të sigurisë kibernetike në FBI.

Ky zhvillim vjen një javë pasi Binance, platforma më e madhe në botë për shkëmbimin e kriptomonedhave, bëri të ditur se hakerët kishin përdorur intervista të rreme pune për të vjedhur një shumë rekord prej 6.3 miliardë dollarësh (4.7 miliardë paund).

Agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit ia kanë atribuar sulmin ndaj Binance personave të lidhur me Korenë e Veriut. Ky sulm konsiderohet si më i madhi i këtij lloji deri më sot. Pheniani i ka mohuar këto pretendime.

Sipas FBI-së dhe Departamentit amerikan të Drejtësisë, hakerët e “FaceStealer” përdorin llogari të rreme ose të vjedhura në rrjetet sociale për të ftuar viktimat e mundshme në videothirrje përmes versioneve të falsifikuara të platformave Zoom, Microsoft Teams dhe Google Meet, shkruan BBC.

Më pas, hakerët shfaqin video të regjistruara paraprakisht të personave që viktimat i njohin, duke krijuar përshtypjen se bëhet fjalë për një videothirrje të vërtetë. Megjithatë, gjatë komunikimit, audioja duket sikur ka probleme teknike.

Më pas, në ekranin e viktimës shfaqet një mesazh ku i kërkohet të “rregullojë” audion duke klikuar në një link. Ky veprim shkakton shkarkimin e një programi keqdashës (malware) në pajisjen e tij, duke u dhënë hakerëve mundësinë të kenë akses në listën e kontakteve dhe aplikacionet e përdoruesit. Në këtë mënyrë, ata zgjerojnë rrethin e personave që mund të bëhen viktima të mashtrimit.

Sipas autoriteteve amerikane, hakerët i regjistrojnë fshehurazi këto videothirrje dhe më pas i përdorin regjistrimet për të mashtruar viktima të reja.

FBI e ka cilësuar “FaceStealer” si “një skemë shumë efektive të manipulimit përmes inxhinierisë sociale, e aftë të mashtrojë edhe përdoruesit më me përvojë të teknologjisë dhe ata që janë më të ndërgjegjshëm për sigurinë kompjuterike”.

“Kjo skemë shfrytëzon besimin tonë te platformat e videokonferencave që përdorim çdo ditë, si dhe te marrëdhëniet personale që vlerësojmë”, deklaroi të enjten Patrick Grandy, ndihmësdrejtor në krye të zyrës së FBI-së në Los Anxhelos.