Moti i keq lë pa energji elektrike disa zona në Qarkun e Kukësit, rënie gurësh në rrugë dhe dëmtime në banesa Vëllai i Pirro Dhimës u arrestua në Greqi, nën dyshimet për një aktivitet të paligjshëm me substanca dopingu. Katër vite më parë, Elez Gjoza e akuzonte për rastin e peshëngritëses shqiptare Evangjeli Veli, akuza që shkaktuan një përplasje të fortë me familjen Dhima dhe që sot marrin një tjetër dimension.
Një histori që prej vitesh shoqërohej me akuza të forta, përplasje mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe kërcënime për gjyqe, rikthehet në qendër të vëmendjes. Odise Dhima, vëllai i ish-kampionit olimpik Pirro Dhima, është arrestuar në Greqi, i dyshuar për përfshirje në një aktivitet të paligjshëm të furnizimit të sportistëve me substanca dopingu.
58-vjeçari u vu në prangat e policisë greke pas një hetimi të kryer në bashkëpunim me Organizatën Helenike Antidoping dhe Organizatën Kombëtare të Barnave. Sipas autoriteteve, ai dyshohet se furnizonte sportistë me preparate të ndaluara për të rritur artificialisht rezultatet e tyre sportive, aktivitet që dyshohet se e kryente prej vitesh. Gjatë kontrolleve në banesën e tij dhe në ambiente sportive në Atikë, policia sekuestroi 871 tableta dhe ampula me substanca të dyshuara si të paligjshme, 15 mijë euro cash, 17 kartela sportistësh, shënime dhe një telefon celular që do t’i nënshtrohet verifikimeve të mëtejshme. Hetuesit kanë zbuluar gjithashtu një rast të administrimit të një substance të ndaluar te një sportist i mitur gjatë një gare.
Por arrestimi i tij merr një domethënie të veçantë për sportin shqiptar, pasi emri i Odise Dhimës ishte përmendur publikisht edhe katër vite më parë, në një prej rasteve më të bujshme të dopingut në peshëngritjen shqiptare. Pas çështjes së Evangjeli Velit, presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, drejtoi gishtin nga Odise Dhima, duke e konsideruar peshëngritësen shqiptare, e cila jetonte dhe stërvitej prej vitesh në Greqi, viktimë të veprimtarisë së tij të dyshuar.
Akuzat shkaktuan një reagim të ashpër nga Pirro Dhima. Në një intervistë për Top Channel, ish-kampioni olimpik, në atë kohë zëvendëspresident i Federatës Botërore të Peshëngritjes, i hodhi poshtë deklaratat e Gjozës dhe paralajmëroi se do ta çonte atë në gjyq, së bashku me të vëllanë, për shpifje. Ai deklaroi se do ta ndiqte çështjen edhe në institucionet ndërkombëtare të peshëngritjes dhe antidopingut. Katër vite më vonë, situata merr një tjetër zhvillim. Odise Dhima nuk është më vetëm emri i përmendur në akuzat publike të drejtuesit të peshëngritjes shqiptare, por tashmë është zyrtarisht person nën hetim nga autoritetet greke për një aktivitet të dyshuar të paligjshëm me substanca dopingu.
Arrestimi i tij nuk përbën provë përfundimtare për përfshirjen në rastin e Evangjeli Velit, por pa dyshim i jep një tjetër peshë akuzave që Elez Gjoza kishte bërë vite më parë. Një histori që nisi me një peshëngritëse shqiptare, përfshiu dy federata dhe vuri përballë njëri-tjetrit emra të njohur të sportit në Shqipëri dhe Greqi, sot rikthehet me një hetim penal në Athinë.
Top Channel