Gjashtë shtetas shqiptarë janë arrestuar në Belgjikë, pas zbulimit të disa plantacioneve të kanabisit në kuadër të një hetimi për kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.
Sipas mediave belge, hetimi nisi në nëntor të vitit 2023 nga Policia Gjyqësore Federale në Leuven, pas dyshimeve për një organizatë kriminale shqiptare që merrej me kultivimin e kanabisit në shkallë të gjerë në Belgjikë dhe Francë.
Rrjeti dyshohet se vepronte kryesisht në zonat e Diest, Geel dhe Liège, ndërsa kishte lidhje kriminale edhe në vende të tjera europiane.
Më 20 maj, policia zhvilloi kontrolle në 11 adresa në disa qytete, ku u arrestuan tetë persona. Gjashtë prej tyre, të moshës 32 deri në 46 vjeç, u lanë në paraburgim, ndërsa dy të tjerët u liruan, por vijojnë të jenë nën hetim.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan 36.5 kilogramë kanabis, si dhe ketaminë, kokainë, ekstazi, gaz i qeshjes dhe amfetaminë. Gjithashtu, autoritetet gjetën para në dorë, armë zjarri dhe prova të tjera që do t’i nënshtrohen hetimeve.












