Strategji e përbashkët për goditjen e grupeve kriminale ndërkufitare, kapjen e shtetasve në kërkim dhe luftën kundër krimeve kibernetike e trafiqeve të paligjshme.
Në vijim të vizitës zyrtare në Itali, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, zhvilloi një tjetër takim të rëndësishëm në kuadër të forcimit dhe thellimit të bashkëpunimit ndërmjet strukturave policore të të dyja vendeve, me fokus goditjen e krimit të organizuar dhe të grupeve kriminale që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Itali dhe Shqipëri.
Drejtues Madhor Skender Hita dhe delegacioni që e shoqëronte u pritën në një takim të veçantë në Drejtorinë Qendrore të Policisë Kriminale, nga Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Sigurisë Publike, njëherazi Drejtori Qendror i Policisë Kriminale, Prefekti Raffaele Grassi, si dhe nga Drejtori i Drejtorisë Hetimore Antimafia (DIA), Gjenerali Nicola Massimo Masciulli.
Të pranishëm në takim ishin Drejtoresha Qendrore e Shërbimeve Antidrogë, Lorena Di Galante, Drejtori i Shërbimit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar Policor, Lorenzo Bucossi, dhe Drejtori i Shërbimit Qendror Operacional të Policisë (SCO), Drejtues i Lartë Marco Calì.
Në qendër të diskutimeve ishte intensifikimi i veprimeve të përbashkëta hetimore dhe operacionale për identifikimin, dokumentimin dhe goditjen e grupeve kriminale që veprojnë në të dyja vendet, luftën kundër trafikut të narkotikëve, trafiqeve të paligjshme, krimeve kibernetike dhe formave të tjera të kriminalitetit ndërkufitar.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua shkëmbimit në kohë reale të informacionit dhe inteligjencës policore, koordinimit të operacioneve të përbashkëta, goditjes së burimeve financiare të grupeve kriminale, si dhe intensifikimit të kërkimeve për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim nga drejtësia shqiptare dhe italiane.
Drejtori i Përgjithshëm Hita siguroi kreun e Policisë Kriminale dhe atë të Antimafias, për vendosmërinë e tij dhe të Policisë shqiptare për të thelluar më tej këtë bashkëpunim, duke rritur numrin dhe kapacitetet e skuadrave të përbashkëta hetimore, me qëllim zhvillimin e hetimeve më të thelluara dhe realizimin e operacioneve të koordinuara për goditjen e strukturave kriminale në të gjithë shtrirjen e tyre, pavarësisht kufijve shtetërorë.
Prefekti Grassi dhe Gjenerali Masciulli vlerësuan punën e bërë nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, si dhe bashkëpunimin e shkëlqyer me Interforcën në ambasadën italiane në Shqipëri. Ata shprehën angazhimin për ta çuar këtë bashkëpunim në një nivel edhe më të lartë, përmes hartimit të një strategjie të re, me objektiv arritjen e rezultateve konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe të gjitha formave të kriminalitetit ndërkufitar.