Manchester United është vetëm pak orë larg një emërimi të rëndësishëm në pankinë. Mauricio Pochettino pritet të marrë drejtimin e skuadrës angleze, pasi palët kanë arritur një marrëveshje të plotë për bashkëpunimin e tyre.
Sipas raportimeve nga mediat angleze, trajneri argjentinas ka gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit e “Djajve të Kuq” dhe pritet të firmosë një kontratë me kohëzgjatje dy vjet e gjysmë. Kështu, ish-tekniku i Paris Saint-Germain dhe Chelsea përgatitet për një rikthim në Premier League, këtë herë në stolin e një prej klubeve më të mëdha të Anglisë.
Megjithatë, Pochettino nuk do të udhëtojë menjëherë drejt Manchesterit. Ai fillimisht do të përmbushë angazhimet me përfaqësuesen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku e presin dy ndeshje gjatë kësaj periudhe të ndërprerjes së kampionateve për shkak të angazhimeve ndërkombëtare.
Plani është që trajneri 53-vjeçar të mbërrijë në Manchester në kohë për të përgatitur skuadrën për një sfidë të madhe, atë ndaj Liverpoolit, e programuar për 22 nëntor.
Emërimi i Pochettinos pritet të sjellë një kapitull të ri në “Old Trafford”. Argjentinasi do të ketë përpara një detyrë të vështirë: të rikthejë Manchester United në nivelet që kërkojnë historia dhe ambiciet e klubit.
