Shqyrtimi gjyqësor ndaj ish-profesorit të Universitetit të Prishtinës, Xhevat Krasniqi, i akuzuar për ngacmim seksual ndaj studenteve të Fakultetit të Mjekësisë, nuk u mbajt. Seanca e radhës u caktua për 24 dhjetor, në orën 09:30.
Gjykatësi Bujar Ahmeti njoftoi se në seancë mungonin prokurori i shtetit dhe e dëmtuara Donika Veseli. Sipas tij, prokurori nuk kishte dhënë arsye për mungesën, ndërsa pa praninë e tyre nuk plotësoheshin kushtet për zhvillimin e seancës.
Të lidhura
None found
Kjo do të ishte seanca e parë e shqyrtimit gjyqësor pas nëntë seancave të planifikuara gjatë shtatorit dhe tetorit, të cilat u shtynë me kërkesë të disa palëve në procedurë.
Krasniqi u denoncua për ngacmim seksual nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë. Prokuroria e Prishtinës thotë se veprimet e pretenduara kanë ndodhur nga janari i vitit 2022 deri në dhjetor të vitit 2023, brenda objektit të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës.
Sipas Prokurorisë, Krasniqi ka shfaqur sjellje joverbale joetike me natyrë ngacmimi seksual, që synonin cenimin e dinjitetit të personit tjetër. Aktakuza thekson gjithashtu pozitën e tij si profesor universitar dhe autoritetin që ushtronte mbi të dëmtuarat. Në aktakuzë figurojnë katër të dëmtuara.
Më 23 prill 2024, ish-rektori i UP-së, Qerim Qerimi, vendosi pezullimin e Krasniqit nga puna për gjashtë muaj. Pas përfundimit të kësaj periudhe, më 23 tetor 2024, rektori aktual, Arben Hajrullahu, vendosi ta zgjasë pezullimin deri në përfundimin e hetimeve nga Prokuroria.






