Colette Kress kaloi vite në Nvidia si një nga drejtueset e pakta që guxonte të vinte në pikëpyetje ambiciet e mëdha dhe shpeshherë të rrezikshme të drejtorit ekzekutiv, Jensen Huang. Ndërsa ai e orientonte kompaninë e prodhimit të çipave drejt investimeve shumë miliardë dollarëshe në inteligjencën artificiale, Kress shprehte rezerva dhe kundërshtonte disa prej këtyre vendimeve, sipas dy personave në dijeni të çështjes, të enjten.
Tashmë, 59-vjeçares i është besuar drejtimi i kompanisë në mënyrë të përkohshme, ndërsa Nvidia kërkon një pasardhës të përhershëm. Të enjten, Huang u largua nga kompania që bashkëthemeloi dhe drejtoi për tre dekada, në një klimë skandali, duke e lënë Nvidia-n përballë tranzicionit të parë drejtues pa njeriun që ndërtoi suksesin e saj.
Përmes përplasjeve të tyre, Kress shërbeu si një kundërpeshë e rëndësishme ndaj Huang, suksesi i të cilit i kishte dhënë atij liri të madhe në marrjen e vendimeve kyçe, thanë dy burimet, shkruan Reuters.
Disa muaj përpara se të publikohej lajmi se Huang kishte një marrëdhënie me një grua të dyshuar si spiune kineze, disa investitorë në Wall Street kishin ngritur pikëpyetje nëse prirja e tij për të marrë rreziqe ishte e arsyeshme dhe nëse marrëveshjet që ai kishte nënshkruar po ushqenin një ekonomi gjithnjë e më qarkore të inteligjencës artificiale.
Kress dhe stafi i saj u përplasën me Huang dhe ekipin e shitjeve të kompanisë lidhur me marrëveshjet e mëdha dhe me rrezik të lartë të financimit, të cilat kontribuuan në krijimin e asaj që disa kritikë të Wall Street e cilësuan si një ekonomi qarkore të AI-së. Mes tyre përfshiheshin investimet në OpenAI dhe në kompani të infrastrukturës së inteligjencës artificiale, si Lambda, sipas njërit prej personave në dijeni të çështjes.