Pse leku shqiptar është i fortë dhe çfarë kostoje ka ky forcim?

Euro shkëmbehej me rreth 119 lekë në vitin 2022. Në gusht, 1 euro u shkëmbye me rreth 94 lekë. Nëse i keni të ardhurat në euro dhe i shpenzoni në lekë, me siguri e keni ndier tashmë këtë diferencë.
Ka një paradoks të vërtetë. Shqipëria blen shumë më tepër mallra nga jashtë sesa shet. Kjo duhet të nënkuptojë se shqiptarët kanë vazhdimisht nevojë për euro dhe se euroja duhet të bëhet më e shtrenjtë, jo më e lirë. Meqenëse aritmetika duket sikur nuk jep zgjidhje apo përgjigjen e duhur, një shpjegim ka fituar terren: eurot që mungojnë hyjnë në vend përmes kanaleve informale dhe se, për rrjedhojë, forcimi i lekut është artificial.
Kam kaluar një kohë duke analizuar statistikat zyrtare dhe kam ndërtuar një model të vlerës së drejtë të kursit të këmbimit. Dy përfundime rezultojnë nga kjo analizë, të cilat nuk përkojnë me ato që zakonisht parashtrojnë asnjëra prej palëve për kursin e këmbimit.
Forcimi i lekut është real, i arritur dhe i matshëm. Dhe ky forcim po i kushton tashmë Shqipërisë.
PSE DEFICITI I TREGTISË SË MALLRAVE ËSHTË ÇORIENTUES
Bilanci tregtar i Shqipërisë për mallrat është vërtet tejet negativ. Në tremujorin e parë të vitit 2026 ai rezultoi -1.321 milionë euro.
Por mallrat përbëjnë vetëm një zë në një llogari më të gjerë.
Në të njëjtin tremujor, Shqipëria arkëtoi 757 milionë euro nga shitja e shërbimeve, kryesisht nga turizmi, dhe përfitoi 318 milionë euro nga dërgesat e emigrantëve drejt vendit. Edhe të ardhurat nga puna jashtë vendit ofruan një kontribut pak më të rritur.
Në total, hendeku me pjesën tjetër të botës ishte 228 milionë euro, dhe jo 1.321 milionë euro. Analiza e vetëm mallrave e zgjeron këtë hendek me pothuajse gjashtë herë me shumë.
DEKADA E PARAQITUR VETËM NË NJË GRAFIK
Argumenti që mbështet shpjegimin e lidhur me informalitetin bazohet në një pretendim specifik: asnjë nga burimet e matshme të monedhës së huaj nuk është rritur mjaftueshëm për të shpjeguar këtë zhvillim.
Ky pretendim mund të verifikohet.
Çdo burim më vete është rritur. Paratë e shpenzuara nga vizitorët e huaj janë rritur më shumë se katërfish. Së bashku, këto burime sollën 8.2 miliardë euro më shumë në vit, pothuajse sa 30% të madhësisë së ekonomisë shqiptare krahasuar me vitin 2015.
Kanalet formale të flukseve hyrëse të cilat janë dhe të matshme u zgjeruan më tej. Ato shënuan transformimin më të madh në marrëdhëniet ekonomike të Shqipërisë me jashtë gjatë gjithë historisë së saj moderne.
A PËRPUTHET VËRTET KY SHPJEGIM ME FAKTET?
Një shpjegim është të drejtosh gishtin në praninë e flukseve të mëdha hyrëse. Shpjegimi tjetër lidhet me faktin se duhet treguar se ato shpjegojnë luhatjen e kursit të këmbimit.
Për këtë arsye, vlerësova nivelin e lekut që nënkuptohet sipas faktorëve themelorë të matshëm që janë: të ardhurat për frymë krahasuar me eurozonën, flukset e jashtme të përmendura më sipër dhe termat e tregtisë. Katër specifikime të modelit kaluan testet statistikore të vlefshmërisë. Ja çfarë tregojnë ato, krahasuar me atë që ka ndodhur realisht.
Ekuacioni ndjek ecurinë e kursit të këmbimit përgjatë një periudhe në të cilën kursi u zhvendos nga rreth 140 në rreth 98 lekë për 1 euro, me një devijim mesatar prej 2,8%. Gjatë periudhës 2015-2025, kursi i tregut lëvizi me 30%, ndërsa niveli i nënkuptuar nga faktorët themelorë me 28%. Faktet e matshme shpjegojnë afërsisht 94% të kësaj lëvizjeje/zhvendosjeje.
Ky është thelbi i problemit. Mbetet shumë pak pjesë e pashpjeguar e kësaj lëvizjeje e cila mund t’i atribuohet ndonjë faktori tjetër.
Dy verifikime të tjera, në shkallë më të vogël, çojnë në të njëjtin përfundim. Ndonjëherë thuhet se mbiçmimi i lekut filloi në vitin 2015, ndërsa turizmi shpjegon këtë mbiçmim vetëm për dy vitet e fundit. Pjesa e parë është e saktë, por e dyta jo: shpenzimet e turistëve u rritën nga 13,1% në 15,0% të ekonomisë midis viteve 2015 dhe 2019, ndërsa leku u forcua me 12% gjatë po të njëjtës periudhë katërvjeçare. Dhe kjo nuk është një dukuri lokale e lidhur me euron. Gjatë periudhës 2015-2025, leku u forcua me 30% kundrejt euros dhe me 31% kundrejt dollarit amerikan.
NUK JANË NORMAT E INTERESIT
Shpjegimi tjetër që shpesh njerëzit japin për këtë dukuri është se kapitali po zhvendoset drejt Shqipërisë në kërkim të kthimeve më të larta. Ky pretendim mund të provohet lehtësisht.
Nga maji 2023 deri në gusht 2024, letrat me vlerë të qeverisë shqiptare me maturitet njëvjeçar ofronin një normë interesi më të ulët se instrumentet ekuivalente në euro, duke qenë në një moment madje një pikë përqindjeje më të ulëta. Pikërisht gjatë kësaj periudhe, leku u forcua me rreth 10%. Kjo përbënte fazën më të madhe të të gjithë periudhës të mbiçmimit të lekut dhe ndodhi në një kohë kur mbajtja e kursimeve në lekë u ofronte kursimtarëve një kthim më të ulët sesa mbajtja e tyre në euro. Diferenca e normave të interesit u kthye sërish negative në mars 2026, ndërsa leku vijoj të të forcohej.
Një monedhë që forcohet edhe kur ofron një kthim më të ulët sesa monedhat alternative nuk mund të thuhet se mbështetet nga normat e interesit.
PËRSA I PËRKET PARASË INFORMALE
Kjo çështje meriton një përgjigje serioze në vend që thjesht të injorohet.
Kur statisticienët përllogarisin gjithçka që një vend fiton dhe shpenzon në marrëdhëniet me jashtë, të dyja anët e bilancit me jashtë pothuajse asnjëherë nuk përputhen plotësisht. Diferenca e dalë nga përllogaritja njihet në bilanc si gabime dhe harresa neto (net errors and omissions).
Aktualisht, ky zë përllogaritet në rreth 0,8% të ekonomisë. Në vitin 2011 kjo shifër ishte mbi 5%, në një kohë kur askush nuk pretendonte se forcimi i leku ishte për shkak të aktivitetit kriminal. Sot ky zë është më i ulët se në pjesën më të madhe të pesëmbëdhjetë viteve të fundit dhe nuk shfaq ndonjë prirje të qartë në kohë.
Tani vjen pjesa që kërkon një vlerësim të ndershëm, sepse pikërisht këtu argumentet kategorike të të dyja palëve fillojnë të dobësohen.
Kjo diferencë (gabime dhe harresa) mat vetëm hendekun neto. Nëse hyrjet e paregjistruara të valutës do të shoqëroheshin nga dalje të paregjistruara të së njëjtës përmasë, për shembull përmes importeve të nënfaturuara që paguhen me para në dorë (cash), efektet do të kompensoheshin në mënyrë reciproke dhe diferenca e mbetur do të mbetej e vogël, edhe pse shuma të konsiderueshme do të lëviznin në të dy drejtimet.
Madje, një kufizim edhe më i rëndësishëm është se të dhënat makroekonomike nuk mund të identifikojnë fondet që janë klasifikuar gabimisht brenda kategorive të regjistruara. Nëse fonde me origjinë të paligjshme do të pastroheshin përmes të ardhurave nga turizmi ose blerjeve të pasurive të paluajtshme, ato do të regjistroheshin si të ardhura nga udhëtimet ose si investime të huaja. Me fjalë të tjera, ato do të përfshiheshin brenda shumës prej 8,2 miliardë eurosh.
Prandaj, pretendimi i saktë të cilin po ngre është më i kufizuar sesa mund të duket në shikim të parë. Kursi i këmbimit shpjegohet nëpërmjet flukseve të matura. Megjithatë, nga kjo nuk rrjedh domosdoshmërisht se secili prej këtyre flukseve është saktësisht ai që sugjeron emërtimi i tij.
Përfundimet që pasojnë këtë pretendim balancojnë njëra-tjetrën. Nëse këto të dhëna nuk mund të përjashtojnë ekzistencën e parave informale, atëherë ato as nuk mund ta provojnë atë. Askush nuk mund ta zgjidhë këtë çështje vetëm mbi bazën e statistikave kombëtare. Matja e parasë informale kërkon matje të drejtpërdrejtë: përmes të dhënave të transaksioneve bankare dhe të zyrave të këmbimit valutor, të lidhura në mënyrë anonime me transfertat, deklarimet e parasë në kufi dhe transaksionet e shlyerjes së blerjeve të pasurive të paluajtshme, dhe të verifikuara përmes auditimeve mbi një kampion statistikor. Në Shqipëri kryerja e një hulumtim të tillë është e mundur, pasi ndërmjetësit e licencuar raportojnë çdo ditë transaksionet e këmbimit valutor që prej janarit 2022. Megjithatë, kjo analizë ende nuk është kryer.
Shqipëria përballet realisht me probleme që lidhen me informalitetin, përdorimin e parasë fizike (cash) dhe pastrimin e parave, dhe këto çështje meritojnë të hetohen mbi bazën e fakteve dhe evidencës përkatëse. Por madhësia e ekonomisë informale nuk është e barabartë me madhësinë e hyrjeve të paligjshme të euros, dhe një pjesë e pashpjeguar prej disa pikësh përqindjeje nuk është e njëjta gjë me përfundimin se “pjesa tjetër vjen nga veprimtaria kriminale”.
A ËSHTË LEKU NË NIVELIN E DUHUR? ENDE JO
Edhe në këtë pikë kam rezerva ndaj interpretimit optimist.
Ndryshimet reale në ekonomi shpjegojnë qartë forcimin e lekut. Por kjo nuk do të thotë se kursi i sotëm është në nivelin e duhur.
Sipas tri metodave të pavarura, vlera e drejtë e kursit është rreth 99 lekë për 1 euro, me një interval nga afërsisht 91 deri në 105 lekë për 1 euro. Në korrik, kursi i tregut ishte 93.73 lekë për 1 euro. Thënë thjeshtë, leku duket rreth 5% më i fortë nga sa e justifikon gjendja e ekonomisë. Leku është i fortë, por nuk po flasim për një mbiçmim prej 30% apo për një flluskë të forcimit të kursit të këmbimit.
Edhe çmimet, nga një këndvështrim tjetër, tregojnë të njëjtën gjë. Krahasuar me çmimet në 39 vende evropiane, çmimet në Shqipëri sot janë qartazi më të larta nga sa do të pritej të ishin duke pasur parasysh nivelin e të ardhurave në vend.
Shqipëria ka pasur gjithmonë çmime disi të larta për nivelin e saj të të ardhurave, për arsye strukturore që nuk lidhen me monedhën. Kjo tregohet me vijën kuqe në grafik. Por hendeku është zgjeruar ndjeshëm që nga viti 2015, dhe në vitin 2024 çmimet në Shqipëri ishin rreth 16% mbi nivelin e tyre afatgjatë. Në Shqipëri, çmimet u rritën më shpejt se të ardhurat.
Dua të sqaroj diçka qartë. Kur them se leku është “disi më i fortë nga sa duhet”, nuk po parashikoj se ai do të dobësohet. Testet e mia nuk tregojnë ndonjë prirje të besueshme që leku të rikthehet në vlerën e drejtë. Një monedhë mund të qëndrojë larg vlerës së drejtë për vite me radhë. Ky është një vlerësim i nivelit të kursit dhe nuk është as parashikim, as këshillë investimi.
KOSTOJA NUK ËSHTË MË TEORIKE (Kostoja tashmë është reale)
Në korrik 2026, eksportet shqiptare u rritën me 10.6% në terma vjetorë. Por përbërja e eksporteve ka më shumë rëndësi se shifra e përgjithshme e rritjes. Materialet e ndërtimit dhe metalet kontribuan me 8.9 pikë përqindjeje në këtë rritje, ndërsa mineralet, lëndët djegëse dhe energjia elektrike dhanë një kontribut shtesë prej 5.3 pikësh përqindjeje. Tekstilet dhe këpucët e ulën rritjen me 4.3 pikë përqindjeje, duke dhënë kontributin negativ më të madh ndër të gjitha grupet.
Rritja e eksporteve të lëndëve të para dhe e atyre që lidhen me ndërtimin, ndërkohë që eksportet e industrisë përpunuese bien, është një dukuri e njohur dhe shqetësuese.
Sipas shoqatave të industrisë, eksportet e veshjeve dhe të këpucëve ranë me 13.8% në terma vjetorë. Ato e cilësojnë këtë industri si sektorin më të madh eksportues të Shqipërisë dhe ia atribuojnë presionin drejtpërdrejt kursit të këmbimit. Të ardhurat janë në euro, ndërsa pagat dhe shpenzimet e tjera te prodhimit janë në lekë. Sipas shoqatave, bizneset po e zhvendosin prodhimin e tyre në Tunizi, Marok, Uzbekistan dhe Egjipt.
Këtu ka rëndësi të sqarojmë një pikë për mënyrën e matjes. Të dhënat e tregtisë raportohen në lekë dhe gjatë asaj periudhe njëvjeçare euroja u zhvlerësua me 4.1% kundrejt lekut. Edhe nëse të ardhurat në euro të një eksportuesi do të mbeteshin krejtësisht të pandryshuara, të shprehura në lekë ato do të shënonin një rënie prej 4.1%. Pra, rënia faktike është më pranë 10% sesa 14%. Rënia është serioze në të dyja rastet, por shifra e raportuar e paraqet atë më të madhe nga sa është. Ky mbivlerësim vjen pikërisht nga efekti i kursit të këmbimit.
ÇFARË DO TË THOTË KJO?
Është e qartë se kush po e ndien presionin dhe ia vlen ta themi hapur. Eksportuesit e mallrave marrin më pak lekë për çdo euro që fitojnë. Eksportuesit e softuerëve dhe të shërbimeve përballen me të njëjtin problematikë. Hotelet dhe operatorët turistikë, që në pamje të parë dukeshin se do të përfitonin më shumë, po përfitojnë gjithnjë e më pak. Të ardhurat i kanë në euro, ndërsa pagat dhe qiratë i paguajnë në lekë. Familjet që jetojnë me paratë që u dërgohen nga jashtë (emigrimi) çdo vit që kalon mund të blejnë akoma më pak me to.
Mendimet ndryshojnë vetëm për shkakun. Ky dallim ka rëndësi praktike, sepse të dyja diagnozat çojnë në zgjidhje të ndryshme.
Nëse problemi buron nga paratë me prejardhje kriminale, zgjidhja është zbatimi i ligjit/ndërhyrja e policisë.
Nëse problemi është se në Shqipëri çmimet po rriten më shpejt se produktiviteti, siç tregojnë të dhënat, atëherë zgjidhja qëndron te rritja e produktivitetit, zhvillimi i aftësive dhe thellimi i tregut valutor, i cili sot ka thellësi shumë të kufizuar.
Ky është diskutimi më i vështirë. Por dhe më reali.
SHËNIM MBI METODOLOGJINË
Të gjitha shifrat e paraqitura këtu janë marr nga Banka e Shqipërisë, INSTAT-i, Eurostat-i, Banka Qendrore Evropiane, Fondi Monetar Ndërkombëtar ose Banka Botërore. Vlerësimi i vlerës së drejtë mbështetet në tri qasje: një model të sjelljes të vlerësuar me të dhëna për Shqipërinë që nga viti 2008, një krahasim të nivelit të çmimeve me atë të vendeve të krahasueshme evropiane dhe kushtet e ekuilibrit të jashtëm, duke marrë parasysh edhe vlerësimin e FMN-së. Intervalet tregojnë sa ndryshojnë vlerësimet nga një metodë në tjetrën. Ato nuk janë intervale statistikore besimi dhe asnjërit prej niveleve nuk i caktohet një probabilitet. Modeli merr si të dhënë kuadrin aktual të politikës monetare dhe nuk synon të përcaktojë se cili do të kishte qenë kursi i këmbimit pa ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë.
Ky artikull është një analizë, jo këshillë investimi dhe pasqyron vlerësimet dhe pikëpamjet e mia personale. Ky artikull nuk përfaqëson qëndrimin apo opinionet zyrtare të BERZH-it.
* Aleks Bendaj është ekonomist pranë Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në Londër. Ka përfunduar masterin në Ekonomi në London School of Economics (LSE) dhe studimet bachelor në Universitetin e Ekonomisë dhe Biznesit të Athinës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
















