Policia Rrugore e Vlorës ka kryer kontrolle dhe monitorim të qarkullimit rrugor me pajisje bashkëkohore, në të gjitha akset rrugore dhe pikat hyrëse-dalëse të qarkut.
Policia njoftoi se në fokus të kontrolleve janë drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë me mjet, në efektin e alkoolit dhe pa leje drejtimi, tejkalojnë shpejtësinë e lejuar apo kryejnë manovra të rrezikshme, shkelje që përbëjnë ndër shkaqet kryesore të ngjarjeve rrugore me pasoja.
Si rezultat i kontrolleve të intensifikuara dhe i monitorimit të vazhdueshëm të qarkullimit rrugor, gjatë javës së parë të muajit nëntor, janë arrestuar dhe proceduar penalisht 13 drejtues mjetesh, konkretisht: 5 shtetas janë arrestuar për drejtim të mjetit, në gjendje të dehur; 4 shtetas janë proceduar penalisht për drejtim të mjetit, në efektin e alkoolit; 1 shtetas i proceduar penalisht për drejtim të mjetit, pa leje drejtimi; 3 janë proceduar penalisht për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, janë vendosur 1958 masa administrative për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit rrugor, konkretisht: 970 masa për parkim të gabuar; 509 masa për tejkalim të kufijve të shpejtësisë; 290 masa për mospërdorim të kaskës mbrojtëse; 73 masa për parakalime të gabuara; 42 masa për mospërdorim të rripit të sigurimit; 40 masa për xhama të zinj; 28 masa për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit; 6 masa për pozicionim të gabuar të mjetit.
Kontrollet vijojnë në të gjitha akset rrugore të qarkut.
Policia Rrugore e Vlorës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të tregojnë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të automjeteve dhe të kontribuojnë në rritjen e sigurisë rrugore.

